Demir Imeri është pranë largimit nga skuadra e Vllaznisë. Burime të besueshme tregojnë për newsport.al që sulmuesi i shkodranëve mund ta ketë mbyllur me kuqeblutë.
Ai është shfaqur në Ohër, vend në të cilin Teuta po kryen fazën përgatitore në kuadër të ndeshjeve të Champions League. Të njëjtat burime tregojnë se 25-vjeçari ka takuar personalisht vetë trajnerin Edi Martini.
Tekniku kampion e dëshiron në skuadër dhe bisedimet mes tyre kanë nisur. Mësohet se gjërat janë në rrugë të mbarë dhe parimisht ka një dakordësi. Megjithatë kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t’u konkretizuar bashkëpunimi mes anësorit të sulmit dhe kampionëve të Shqipërisë.
Në sezonin që lamë pas, ai ishte një nga lojtarët kryesorë të formacionit të Thomas Brdariç. U aktivizua në 33 ndeshje, 30 prej të cilave i nisi nga minuta e parë. Arriti të realizonte 4 gola, ndërsa ishte shpesh në qendër të vëmendjes nga mediet për shkak të performancave pozitive.