Kompania menaxhuese e ngritur nga Françesko Toti vazhdon të punojë pa frena dhe të firmosë me disa talente të rëndësishëm në Itali. Goditja e fundit është një shqiptar, Luis Hasa, i cili nga dje do të jetë pjesë e “CT10 Managament”.
Fantazisti i datëlindjes 2004 është pjesë e skuadrës U-16 të Juventusit, por së fundmi ka bërë debutimin e tij edhe me U-17, duke realizuar një gol në 4 prezenca. “I japim mirëseardhjen Luis Hasës në ekipin tonë, futbollistit të datëlindjes 2004 të Juventusit.
“Mirëserdhe në bord”, shkruhej në faqen zyrtare të kompanisë së ish-kapiteni të Romës, i cili pozoi së bashku me shqiptarin dhe numrin 10 të ekipit bardhezi U-16.
Për Luis Hasën, i cili ka bërë debutimin e tij edhe me Kombëtaret italiane të moshave, por jo ato shqiptare, ka kohë që flitet në Itali, duke qenë se 16-vjeçari shihet si një ndër talentet me më shumë perspektivë. Media italianë nënvizon për Hasën se është një lojtar që kërkon të bëjë hapa të mëdhenj, por të sigurt, për t’u ngjitur sa më shpejt dhe sa më lart në kategori.
Pas konfirmimit se sezonin e ardhshëm do të kalojë të luajë me ekipin U-17 të Juves, Hasa këtë gjë e ka merituar falë një sezoni që është pak ta quash fantastik, duke qenë se shifrat e tij flasin për 14 prezenca (945 minuta lojë), në të cilat ka shënuar 6 gola me U-16. Dhe jo më kot Toti ka dashur ta bëjë pjesë të kompanisë së tij.