Në filmin shqiptar “Yjet e netëve të gjata” tregohet historia e një nëne dhe bijve të saj trima, që dhanë jetën për atdheun. Eshtë ndër rastet e pakta në historinë e kinematografisë, ku heroi i filmit, i gjallë, jepet me emrin e vërtetë. Ishte ky një nderim për nënë Pashakon, e njohur në krahinën e vet si Pashako Selman Orhanaj, e cila i dha vatanit tre nga bijtë e saj.
Rolin e Nënë Pashakos në film e luajti me dashuri, forcë, vërtetësi e ndjenjë, aktorja jonë e mirënjohur, Tinka Kurti, Artiste e Popullit. Tinka s’kishte ndjerë asnjëherë vështirësi si në realizimin e kësaj figure. ”A do t’ia dal ta realizoj jo vetëm si një figurë artistike, por edhe konkretisht si Nënë Pashako?!” mendonte shpesh herë Tinka, me ndjenjën e trazuar që krijon pesha e një përgjegjësie të tillë. Aq më tepër i shtoheshin shqetësimet, kur mendonte se ishte vetëm 38 vjeçe dhe duhet të luante rolin e një plake të moshuar, që ishte gjallë ende dhe që e njihnin të gjithë.
Për këtë arsye Tinka jetoi gjatë me Nënë Pashakon, atje, në shtëpinë e saj, në fshatin e largët malor. Hante me të dhe ndiqte me vëmendje çdo veprim të saj, e shoqëronte në çdo hap të saj, kudo ku shkonte, me këdo që takohej. Vrojtonte se si ecte, si fliste, si gëzohej e si hidhërohej. Dhe jo vetëm kaq. Shumë netë Tinka fjeti me të, në një shtrat, u mbulua me të njëjtin jorgan. Dëshironte që kësaj nëne heroike t’i merrte çdo gjë dhe t’i bënte të vetat të gjitha tiparet fizike e shpirtrore. E vështronte në sy në mënyrë tepër të përqëndruar, për të hyrë sa më thellë në gjithë qenien e saj, sepse sytë janë dritare për në zëmër, kanë thënë. Dëshironte të mishërohej në të… dhe njëkohësisht të hynte the-llë në rolin që do të interpretonte, në çdo mënyrë, me çdo kusht, deri sa ky rol të ishte i mbushur me gjakun dhe me frymën e saj.
Tinka Kurti arriti kështu të krijonte një figurë artistike të shkallës së lartë, duke kujtuar shpesh se “tharmin” artistik të kësaj figure e ndjente si një realitet të gjallë dhe konkret.
Dhe ja! Filmi “Yjet e netëve të gjata” jepet në TV. Nënë Pashakoja nuk kishte mundur, nga mosha e thyer, të merrte pjesë në premierën e filmit në Tiranë.
Prandaj në shtëpinë e saj ishin mbledhur të gjithë: djemtë e mbetur, nuset e tyre, nipat e mbesat. Kishin ardhur edhe të tjerë, miq e të afërm. Donin të shihnin filmin në prani të përsonazhit kryesor gjallë. Pak kush e ka këtë fat.
Nënë Pashakoja rrinte e heshtur. Në mendje i kalonte gjithë ajo kohë e zjarrtë, plot heroizma e dhimbje: “Film”në kokën e saj, film në ekranin e vogël.
Ngjashmëria po i krijonte një ndjenjë të çuditshme, që as ajo vetë nuk dinte si ta shpjegonte. Ishte krejtësisht e turbulluar. Kujtonte dhimbjet e mëdha kur i kishte përjetuar këto ngjarje. I kujtohej se si në ato dhimbje kishte njohur edhe forcën e vet, atë forcë që qëndronte midis dashurisë dhe urrejtjes. Dashurisë për njerëzit e saj dhe urrejtjes për armiqtë gjakatarë…
Të tjerët më shumë shikonin Nënë Pashakon se filmin. “Çfarë mendon ajo vallë?!”
Vështrimin e kishte të mprehtë, zhbirues, hetues. Kurse në fytyrën e saj plot rrudha, dallohej një gjendje shpirtërore e trazuar. Herë pas here e çonte nga pak gjuhën te çipat e buzëve dhe atëherë dukej më e vëmendëshme. Kujtimet i vinin në mëndje aq të gjalla, sa nuk ishte në gjendje të çlirohej prej tyre. Por jo të gjitha arrinte t’i sillte ndër mend. Atë çka nuk kujtonte, e shihte në film. Magjia e artit të shprehur në këtë film po përjetohej prej saj me një ndjenjë të çuditëshme që nuk mund të tregohet. Ajo më shumë se kushdo tjetër e ndiente këtë magji.
Filmi mbaroi. Të gjithë prisnin fjalën e saj. Ajo drejtoi pak trupin dhe me sy të njomur, me një zë të dridhshëm, por pak kumbues, tha: – Tashti as vete s’e di se cila është Nënë Pashakoja e vërtetë, unë apo ajo?!
Tinka Kurti kishte triumfuar plotësisht edhe në zemren e mendjen e saj.
Vetëm aktori që nuk di të gënjejë, që thotë të vërtetën e që mobilizohet tërësisht, që e kërkon artin në veten e tij dhe jo veten e tij në art, është i denjë për kurorë… /Nga libri “Mirenjohje” i Isa Alibali/