Lihen në burg dy inspektorët e hetimit tatimor të arrestuar në Kavajë pak ditë më parë, pas denoncimit nga një biznesmene.
Gjykata e Kavajës ka dhënë masën e arrestit për Ermal Harizaj, 37 vjeç, specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë dhe Ervin Pupuleku 29 vjeç, inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.
Ndërsa për Arben Dishën, me detyrë inspektor, gjykata ka dhënë arrest shtëpie.
Kërkesa për caktimin e arrestit në burg dhe arrestit shtëpiak është kërkuar nga Prokuroria e Kavajës.
Gjatë procesit të arrestuarit kanë mohuar akuzat, duke thënë se nuk kanë marrë asnjë lek.
Prokuroria pretendoi se bazuar në kallëzimin e biznesmenes, tre të arrestuarit i kanë kërkuar dhe marrë një shumë prej 400 mijë lekë të vjetra. Biznesmenia denoncoi tre tatimorët te kryeministri Edi Rama dhe menjëherë pas kallëzimit, Policia i vuri në pranga./shqiptarja.com/