Masakra në ish- Bllokun komunist në zemër të Tiranës, mund të kishte patur përmasa edhe më të rënda. Edhe pse një i vrarë e tre të plagosur nuk janë bilanc për qendrën e një kryeqyteti europian që nuk është pre e terrorizimit, përsëri duhet të jemi “të kënaqur”. Të paktën dy pistoleta kanë derdhur plumba në një ambjent të mbyllur dhe të populluar nga klientë.
Teorikisht, ish- Blloku duhet të jetë zona më e sigurtë e të gjithë Shqipërisë. Jo vetëm thjesht nga vendndodhja në zemër të kryeqytetit, por edhe për shkak se lokalet aty janë mjaft të frekuentuara edhe nga njerëz me imunitet të rangut president, kryeministër, ministra e deputetë. Por çuditërisht,qarkullojnë persona me pistoleta në brez. Pas ngjarjeve si ajo e para dy ditëve, mësojmë se hyjnë e dalin persona të shpallur në kërkim policor, komando të ushtrisë shqiptare që i shtojnë të ardhurave të tyre edhe rrogën e një badigardi, bisnesmenë me precedentë të pandërprerë kriminal etj.
E pavarësisht të gjithave, nuk ka prezencë policie. Të asaj me dhe pa uniformë. Ose, ka prezencë por vetëm kur në ish- Bllok ka VIP-a nga ata që cilësuam më lart. Në rastet e tjera, policët janë në “drejtim të paditur” ose bëhen të gjallë pasi ngjarje si ajo e fundit ndodhin.
Një tjetër mësim që na përsëritet, është ai që lidhet me VIP-at e artit. Janë disa rastet kur artiste, aktore të njohura kanë mbetur të veja. Pasi u janë vrarë bashkëjetuesit apo bashkëshortët, janë detyruar të rrisin të vetme fëmijët e tyre. Në masë të lartë, këto VIP-a të artit, krejt “rastësisht” zgjedhin partner nga bota e errët e shoqërisë tonë. Aryeja është e thjesht: Vetëm ata u garantojnë luksin që demonstrojnë në instagram, klipe të shprenjta me makina luksoze, udhëtime pa fund dhe dhurata që zbukurohen me diamante. Pjesa më e madhe e këtyre “të përzgjedhurëve” të VIP-ave të artit, sot prezantohen si bisnesmenë, pa u shqetësuar askush ti hetojë se nga e nisën dhe si po e vazhdojnë. Mjafton të jetë në shoqëruar me këngëtare, aktore, artiste të njohura të skenës dhe ekranit dhe çdo gjë bëhet në rregull…
A është ngjarja e rëndë në ish- Bllok edhe çështje sigurie, madje e sigurisë kombëtare? Nuk duhet të jesh specialist për ta pohuar. Jeta nuk është e sigurtë as në zemër të kryeqytetit tonë. Pistoleta në brez është shumë më e thjeshtë se celulari për tu përdorur në një lokal luksi. Lokal luksi, por askush nga menaxherët apo pronarët e tyre, nuk shqetësohen të kontrollojnë klientët. Edhe pse është e sigurtë që ata i njohin si “paren e kuqe” ata që depozitojnë miliona lekë në këmbim të defrimit. U mjafton që kanë xhiro, pse nxirret ndonjëherë armët, pse ka edhe viktima e të plagosur…punë e madhe. Çudia më e madhe në këtë vend zgjat vetëm 3 ditë. E kanë kuptuar të gjithë, nga politikanët deri tek “bisnesmenët”.
Persona të shpallur në kërkim nga policia por që vetëm policia nuk e di ku ndodhen, komando të ushtrisë shqiptare që janë edhe badigardë “grilletto facile”…kur shteti nuk funksionon as edhe në ish- Bllok! Por ka një shpresë…aplikimet për Lotarinë Amerikane kanë nisur! Paçi fat! /Shënim i ShkodraWeb/