Kriminelët e pamëshirshëm shqiptarë që veprojnë në Britani po rrëmbejnë të afërmit e moshuar të bandave rivale . Shefat e policisë kanë zbuluar se ata i drejtohen prindërve apo edhe gjyshërve të familjeve të tjera të krimit të organizuar, i mbajnë peng dhe kërkojnë para, drogë apo territor në këmbim për lirimin e tyre të sigurtë.
Kriminelët e këtij shteti të vogël ballkanik janë kaq të dhunshëm dhe të pamëshirshëm sa kanë uzurpuar bandat tradicionale të drogës në pjesën më të madhe të Anglisë dhe po dërgojnë tani shuma të mëdha parash në shtëpitë e tyre të fshehura brenda makinave.
Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Europian dhe shifrat e fundit tregojnë se vetëm 32 mijë shqiptarë jetojnë në Britani, nga këto 572 prej tyre janë në burg.
Policia e Bedfordshire raportoi për Daily Mail: “Ju nuk mund ta imagjinoni se sa të pamëshirshëm janë ata. Disa prej bandave tradicionale janë shkrirë përballë brutaliteti absolut të shqiptarëve. Këto janë pa dyshim bandat më të këqija që Britania e Madhe ka parë ndonjëherë. Ata rrëmbejnë të afërm e të moshuar të bandave rivale për t’i përdorur ata për të zhvatur para, drogë dhe territor”
Madje u zbulua se bandat shqiptare po lëviznin sasi të mëdha parash nga Mbretëria e Bashkuar për në vendin e tyre me makina të përshtatura posaçërisht për këtë punë.
Një vit më parë, Vladimir Cahani dhe bashkëshortja e tij Ardita u kapën në përpjkeje për të kontrabanduar 130 mijë euro me makinë e tyre.
Por kur qentë e policisë kontrolluan Audin e tyre në terminalin e Folkestone, gjetën paratë e fshehura. Sipas mediave angleze, bandat shqiptare merren më së shumti me trafikun e kokainës dhe qenieve njerëzore. /Daily Mail, pershtatur nga balkanweb.com/