Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i çuditshëm i një dite më parë (e hënë, 8 prill 2024) në mes të qytetit të Shkodrës, ku një makinë e policisë bashkiake, kaloi në korsinë e kundërt duke goditur një makinë tip Volkswagen që lëvizte në korsinë e vet.
Policia e Shkodrës, u mjaftua me një njoftim të thatë, pa dhënë shumë detaje: ” Rreth orës 10:00, në lagjen “Vasil Shanto”, automjeti i Policisë Bashkiake, me drejtues shtetasin I. B. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. M. Nga përplasja e automjeteve janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Shërbimet e Policisë Rrugore po kryejnë veprimet administrative për rastin.”.
Ndryshe nga sa më lart, kryebashkiaku Benet Beci, në një reagim në rrjetet sociale për aksidentin, ka zbuluar diçka, duke folur për “gabim njerëzor”. “Gjatë paradites së sotme, një nga makinat e Policisë Bashkiake gjatë shërbimit është përfshirë në një aksident në qendër të qytetit. Autoritetet përgjegjëse, Policia e Qarkullimit Rrugor kanë kryer veprimet e nevojshme dhe do të procedojnë sipas rregullave në fuqi. Nuk ka të lënduar, vetëm dëme materiale dhe dyshimet e para janë për gabim njerëzor.”, shkruan Beci.
Qartas, nënvizohet se faji ishte shoferit të makinës së Policisë Bashkiake dhe jo i makinës që “mori super xhiro duke dalë nga kontrolli”, siç u përpoqën ta justifikojnë kolegët e tij policë bashkiakë drejtuesin e mjetit.
Përherë e më shumë po fiton terren mundësia që drejtuesi i makinës të ketë qenë i dehur. Kjo gjen mbështetje edhe në denoncimet e qytetarëve të pranishëm në vendngjarje, bërë për JOQ Albania. Tek kjo faqe informative, lexohet: “Një qytetar shkruan: “Te pire te bere zift perplasen mes dites. E perplasi nga korsia ne korsi…”.”.
Nëse policia dhe prokuroria e zbardhin këtë ngjarje dhe rezulton kështu, drejtuesi i mjetit duhet të ndërshkohet rreptësisht sipas ligjit, ashtu siç ndëshkohet çdo qytetar i thjeshtë, i pambrojtur nga uniforma e “shtetit”. Aq më shumë kur një pjesë e policëve bashkiakë, kanë 32 vite që abuzojnë edhe me 2 mijë lekëshat e tregtarëve në hyrje të Zdrales apo në Sarreq, duke i kërcënuar se do ti largojnë nëse nuk paguajnë “gjobën” e përditshme, e cila duhet të jetë pagesë për arkën e bashkisë dhe me faturë. Jo në xhepin e disa policëve bashkiakë, të cilët janë tashmë edhe milionerë me rroga minimale.