Një ditë më parë takova të shoqin e Lirës, mësues Mustafën një model qytetarie në heshtjen e tij. Më qau hallin për të shoqen që e kishte të sëmurë rëndë. Fjalët që i nxirrte si me zor më ngjanin si lot. Ishte i dëshpëruar. Donte të fliste dhe të kërkonte ndihmë e shpëtim për të shoqen… Si në të tilla raste, i dhashë shumë fjalë miradije dhe optimiste, si: “Mos u mërzit, Lira është grua e fortë dhe do ta kalojë edhe kësaj here!” Ai iku me lot në sy, si një pemë dhimbjeje.
Papritur sot mësova se Lira kishte ndërruar jetë. Dhimbje dhe hidhërim…
E pata njohur Lirën shumë herët. Një grua me dramë jete në shpirt. I dha jetë në një moment të vështirë shkrimtari Arif Gjyli. Vetë Lira ishte bija e shkrimtarit të nderuar Teufik Gjyli dhe e Parashqevisë, një grua fisnike dhe model i rrallë jete familjare. Lira trashëgoi nga e ëma profesionin e bukur të Edukatores. Vetë Lira ishte një edukatore mrekullidhënëse.
Gjithmonë kur e takoja në shëtitjet e saj me të shoqin drejt Urës së Bunës; gjithnjë më pyeste se ç’po shkruaja, m’i lavdëronte vjershat dhe më nxiste duke më thënë: “Shkruaj sa më shumë! Fëmijët duhet ta kenë letërsinë e tyre”.
Dhe gjithnjë pas kësaj bisede, ashtu e qeshur më dhuronte buzëqeshje prej edukatoreje.
Mbaj mend që bëmë edhe një emision në Radio Shkodra, në kujtim të babait të saj shkrimtar. Ishim unë, Lira dhe Edlira e mbesa e shkrimtarit Teufik Gjyli, Folëm në emisionin e gazetares Merita Çoba. Lira dhe mbesa mbetëm të kënaqur nga biseda ime. Pas emisionit pimë një kafe dhe bëmë edhe disa fotografi.
Sot në një ditë dhimbjeje i pashë edhe një here fotografitë! Lirën nuk mund ta kuptoje pa buzëqeshjen e saj, të cilën ua dha pa kursim: Fëmijëve, njerëzve, familjarëve… E tillë do të mbetet në kujtesën time: Fisnike!
Të qoftë dheu i lehtë Lira Gjyli! /Nga Xhahid BUSHATI/