Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbështetur propozimin e Konfindustrisë për të rritur fashën e konsumit të energjisë elektrike nga 800 në 1200 KW në muaj në mënyrë që familjet të përballojnë muajt e ftohtë të dimrit. Meta thotë se familjet duhen mbështetur jo zhvatur, ndaj është dakord me propozimin që të faturohen më shumë ata që kalojnë kufirin 1200 KW në muaj.
“Mbështes plotësisht propozimin e Konfindustrisë Shqiptare për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike, mbi të cilin do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët.
Propozimi për vendosjen e kësaj fashe nga 800KW në 1200KW në muaj është plotësisht i drejtë, pasi me fashën e vendosur nga Qeveria preken financiarisht dhe në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme.
Në kushtet e rritjes të çmimeve të naftës, produkteve të shportës dhe çdo shërbimi, është e pavend të rëndohen edhe më tej buxhetet familjare. Është koha për të mbështetur familjet shqiptare dhe jo për t’i zhvatur ato, me para që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat secrete”, shkroi Meta.