Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, në Shkodër, për shkak të përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë rënë orët e fundit.
iSot, Kreu i Shtetit ka biseduar edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila e ka informuar në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.
“Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve.
Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.
Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19”, shkruan ndër të tjera, Presidenti Meta.