Kongresi i Partisë Socialiste do të zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’. Socialistët kanë zgjedhur pikërisht këtë vend të hapur për t’u mbledhur në 12 qershor, kjo edhe për shkak të masave anti-Covid.
Sipas AlpeNews, takimi, që përkon edhe me ditëlindjen e 30 të PS do të mbahet në orën 17:30 në stadiumin më të madh të Shqipërisë.
Siç dihet deri më tani, PS do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.
Kjo do të jetë hera e parë që në arenën e futbollit, do të mbahet një organizim i tillë që pritet të jetë i përmasave të mëdha.
Edhe më parë, socialistët janë mbledhur në ambiente të hapura, diktuar edhe nga kushtet e pandemisë globale të shkaktuar nga virusi vrasës COVID-19, siç ka qenë Amfiteatri i Liqenit apo sheshi “Skenderbej” në Tiranë për hapjen dhe mbylljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.