Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka qenë e ftuar sot në emisionin Top Show në Top Channel, ku është përballur me artistët. Ministrja u përplas ashpër me artistët e skenës, Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina.
Aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. “Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë” – tha ai.
Ministrja Kumbaro iu përgjigj se nga një analizë e bërë për Teatrin Kombëtar është vënë re se ajo godinë e ndërtuar nga italianët nuk i përmbush sot asnjë nga kushtet.
“Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë.
Në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare” – tha Kumbaro