Pas zyrtarizimit të emrit të Majlinda Angonit si kandidate për kryebashkiake e Shkodrës me 6 mars 2022, ka ardhur edhe reagimi i Edona Bilalit, ministre për Mbështetjen e Sipërmarrjes dhe drejtuese politike e PS- së për Qarkun Shkodër.
Në një publikim në Facebook, Bilali ka publikuar prononcimin e dhënë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisës së PS- së në Tiranë, ku prezantoi Angonin si kandidate zyrtare.
“Majlinda Angoni do të jetë kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër.
Nisur nga propozimet e bazës, konsultimet e gjera, Kryesia e Partisë Socialiste miratoi propozimin e znj. Angoni.
Znj. Angoni aktualisht mban pozicionin e Prefektes së Qarkut Shkodër. Më përpara ajo ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, si advokuese e të drejtave të grave.
Si drejtuese politike e Qarkut Shkodër, si grua dhe si dashamirëse aktive e Shkodrës, jam tejet e kënaqur me përfaqësimin dinjitoz.
Bashkë me deputetin Benet Beci dhe të gjithë familjen socialiste në Shkodër, do të vihemi në dispozicion për të punuar e treguar modelin ndryshe që Shkodra meriton e për të cilin s’ka ma kohë me prit!”, shkruan Bilali në publikimin e saj në Facebook.