Bashkia Shkodër dhe Prefektura e Qarkut Shkodër janë të shqetësuara nga rreziku i zjarreve në territor, për shkak edhe të tempereturave të larta të parashikuara nga IGJEUM për ditët në vijim. Përmes postimeve në rrjetet e tyre sociale, Bashkia dhe Prefektura kërkojnë një sensibilizim dhe gatishmëri në shkallë të gjërër të strukturave.
Në publikimin e Bashkisë Shkodër në faqen zyrtare në Facebook lexohet: Gjatë kësaj jave sipas parashikimeve të IGJEUM, Shqipëria do të përballet me temperatura mjaft të larta mbi 41 °C . Së pari, u bëjmë thirrje gjithë banorëve të Bashkisë Shkodër, të kujdesen për shendetin e tyre, të evitojnë daljet e panevojshme në orët pik, sidomos për të moshuarit.
Temperaturat e larta, sjellin gjithmonë rrezikun e zjarreve në territor. Reparti MZSH Shkodër, strukturat e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pyjeve, vrojtuesit dhe e gjithë administrata në të gjitha nivelet, jane të angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të shmangur zjarret, duke qenë fillimisht vetë të kujdesshëm por edhe duke përcjellë këtë kujdes tek të tjerët, duke nisur nga familja, lagja, fshati apo njësia administrative.
Administratorët e njësive administrative dhe të lagjeve të Bashkisë Shkodër, punonjësit e tyre por edhe çdo banor në territor, duhet të jetë i vemendshëm dhe për çdo eventualitet, të bëjë njoftimet e duhura pranë repartit MZSH Shkodër.
Edhe Prefektura e Qarkut Shkodër, duket se është në një gjatësi vale teksa përcjell në Facebook: Sipas informacioneve të marra nga IGJEUM, mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, pritet që temperaturat në vendin tonë të jenë relativisht të larta duke arritur deri në 41°C.
Nisur nga kjo, Prefektura #QarkuShkodër, ka kërkuar angazhim të shtuar të të gjitha strukturave vendore që të monitorojnë intensivisht territoret e tyre të përgjegjësisë në raste të rënies së zjarrit duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet aktuale në nivel bashkie, agjensie dhe inspektoriati.
Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile janë dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në menaxhimin e situatave të mundshme që mund të shkaktohen nga zjarri, me qëllim parandalimin dhe normalizimin e tyre duke bashkëpunuar me kryetarët e Njësive Administrative për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të zjarrvënësve të qëllimshëm.
Ndërkaq, iu bëjmë thirrje qytetarëve #QarkuShkodër të jenë të kujdesshëm në zonat me rrezikshmëri zjarri duke rritur vigjilencën në këto zona kryesisht përgjatë kësaj jave.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në vazhdën e punës së saj koordinuese, do të vijojë bashkëveprimin me strukturat reaguese për menaxhimin e çdo situate emergjente të mundshme që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta.