Kanë tentuar të kalojnë “mall” të ndaluar drejt Malit të Zi, por e pësojnë keq dy shkodranë. Mësohet se uniformat blu të Shkodrës kanë vënë në pranga 2 të rinj në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit. Lënda e ndaluar u është gjetur në mjetin me të cilin udhëtonin, pas kontrollit të ushtruar nga policia. Bëhet fjalë për një sasi prej rreth 7.2 kile, e cila është bllokuar nga uniformat blu. Më poshtë, komunikata e Policisë së Shkodrës.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, në bashkëpunim me D. V. P. Shkodër u arrestuan në flagrancë shtetasit I. Gj. 31 vjeç, dhe E. N. 23 vjeç, banues të dy në Shkodër.
Arrestimi i tyre u bë pasi në dalje të RSh-së, në PKK Muriqan, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin në pronësi të shtetasit I. Gj, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7.2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.