Dymbëdhjetë efektivë policie të drejtorisë vendore të policisë Shkodër kanë rezultuar si përdorues të drogës. Këto janë rezultatet që kanë dalë nga testi i bërë për përdorimin e lëndëve narkotike nga vetë policia e shtetit.
Procesi për të gjetur nëse mes radhëve të uniformave blui ka përdorues droge ka nisur prej disa ditësh.
Siç është paralajmëruar, efektivët që rezultojnë pozitiv në testin e drogës do të përjashtohen nga radhët e policisë.
Për policinë vendore të Shkodrës që përfshin gjithë qarkun, janë testuar sipas burimeve 80 punonjës policie për të cilët ka dyshime ose indicie se mund të kenë konsumuar lëndë narkotike. Nga këta 80 të testuar 12 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Burimet thane për Panorama se disa prej këtyre punonjësve të policisë pretendojnë se nuk kanë konsumuar kurrë lëndë narkotike në jetën e tyre.
Tashmë pritet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me 12 punonjësit e policisë vendore të Shkodrës që kanë rezultuar si përdorues droge.