Nga Roland LUÇI
Ish- futbollist i Vllaznisë dhe Kombëtares
Kampione 2021 u shpall Teuta! Por të shpallet Teuta kampione, trofeu i kampionatit duhet të vinte në Shkodër. A e dini pse? Sepse jo vetëm që nga ana sportive Vllaznia e meritoi disi më tepër se ekipi durrësak, por dhe (me pak humor) për një arsye tjetër:
Teuta ka qenë një mbretëreshë ilire nja 23 shekuj më parë. Por po të qe se ajo sot u shpall kampione në futboll, kupa e këtij kampionati duhet të vinte në Shkodër, pikërisht në Shkoder dhe për ironi të faktit se Teuta reale, mbretëresha emrin e të cilit mban klubi i Durrësit, qendrën e mbretërisë e kishte në Shkodër.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe diçka tjetër: Teuta nuk ka qenë kurrë në Durrës, qytet i cili as ka qenë fare pjesë e mbretërisë së saj! Urime, urime Durresit dhe trainerit shkodran kampion të tij, por edhe një herë, dhe tash seriozisht: Është më bukur të mbash emrin Teuta se sa Lokomotiva, por gjithsesi Teuta është e Shkodrës më tepër se e Durresit.
E si bartës shumë të mëdhenj reklame dhe turizmi, klubet e futbollit duhet të promovojnë qytetet dhe krahinat të cilave ju përkasin dhe jo të detyrojnë sportëdashësit dhe turistët të nxjerrin fjalorët dhe hartat që të kuptojne dhe gjejnë ku ndodhen.
Perveç Teutës së Durrësit kemi edhe Besa e Besëlidhja, Skenderbeu e Sopoti, Erzeni e Egnatia, Luftëtari dhe Iliria e Krujës… Krujës që në kohën e ilirëve as ka ekzistuar fare.