Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka zbuluar sot se është në bisedime konkrete me Bekim Balajn për t’iu bashkuar kuqebluve. Numri 1 i klubit shkodran, tregoi në studion e “Sport News Plus” në një lidhje direkte, se ka marrë një pëlqim të parë nga sulmuesi.
“Po, i kam ofruar që të vijë të Vllaznia, kam pasur reagim pozitiv. Ai ka thënë që me shumë dëshirë do të vija për të dhënë kontributin por të shohim se ka edhe oferta nga jashtë. Të shohim, presim në ditët në vijim.
Nëse nuk ka diçka nga jashtë për të, Vllaznia do të ishte shtëpia e tij dhe do të ishim shumë të kënaqur nëse do të vinte në Shkodër”, deklaroi Xhaferri.
Balaj u largua pak ditë më parë nga radhët e skuadrës së Nizhni në Rusi dhe tashmë është futbollist i lirë për të nënshkruar me çdo ekip. Sulmuesi ka qenë edhe në verë në kontakte me Vllazninë, por asokohe zgjodhi që të vazhdonte karrierën e tij larg vendit tonë.