Deri në 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës deri në 2050. Alarmin e dha Ministria e Bujqësisë në draftstrategjinë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Strategjia e cila aktualisht është në proces diskutimi ka marrë në konsideratë të dhëna të mëprashme nga Banka Botërore.
Ekspertët shqiptarë të ujërave lajmërojnë se, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdhenj është i lidhur me rënien e shirave dhe mbushjes me ujë të rezervuarëve furnizues, ndërsa prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e vegjël varet nga volumi i rrjedhjes së ujit në lumenj. Megjithëse disponueshmëria e përgjithshme e ujit për prodhimin e energjisë pritet të jetë e mjaftueshme, duhet të ndërmerren masa për të menaxhuar ujin gjatë periudhave të verës, në mënyrë të atillë që prodhimi i energjisë të jetë i përshtatshëm, ndërkohë që përdorimet e tjera të ujit do të rriten paksa, ndërsa ekosistemet që varen nga uji do të kërkojnë sigurimin e prurjes minimale. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis sektorit të energjisë dhe sektorëve të tjerë që përdorin ujë si për shembull industria dhe bujqësia, shprehen ata.
Ndryshimet klimaterike janë reflektuar vitet e fundit, ku është parë se basenet e HEC-ve janë përballur me situata ekstreme, herë me tejmbushje nga reshjet e shumta që kanë shkaktuar përmbytje e herë më thatësira si kjo e kësaj verë ku vendi po plotëson nevojat e furnizimit thuajse nga importi.
Vetëm për muajt korrik dhe gusht u harxhuan rreth 60 milionë euro për importin e energjisë, shumë kjo që shterroi thuajse të gjitha fitimet e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë të realizuara me 2016.
Ekspertët lajmërojnë se, ndryshimet e faktorëve klimatikë dhe ndikimi stinor së bashku ndikojnë kërkesën dhe furnizimin me energji. Stina e dimrit pritet të jetë më e shkurtër dhe më e ngrohtë dhe kjo do të çojë në një rënie të kërkesës për energji për ngrohje. Gjithsesi, temperaturat e larta në stinën e verës do të çojnë në rritje të konsumit të energjisë për ftohje.
Reshjet e dendura të shirave (që parashikohen të jenë më të shpeshta) së bashku me shkrirjen e shpejtë të dëborës për shkak të temperaturave të larta në stinën e dimrit mund të jenë një kërcënim për sigurinë e digave, duke i bërë komunitetet dhe zonat e banuara afër tyre të jenë të ekspozuara nga përmbytjet dhe/ose rrjedhjet e mundshme nga rezervuarët e hidrocentraleve.
Ky efekt bëhet akoma më i madh për shkak të ndryshimeve në sasinë e reshjeve, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura pas periudhave të gjata pa reshje duke shtuar këtu ndryshime në bimësi (shpyllëzimet) përgjatë rrjedhave të ujit, proçeset gjeologjike, dhe ndryshimet në rrjedhën e ujit. /Monitor