Thellohet më tej ngjarja e rëndë në Kavajë në qendër të të cilës ishte një vajzë 14-vjeçare në shkollën “Rilindja”, ku dhe mësuesit vihen në hetim. Prokuroria e Durrësit ka zbuluar se, stafi pedagogjik i shkollës 9-vjeçare si dhe Drejtoria Arsimore në Kavajë ka qenë në dijeni për rastin, disa ditë para se të ndodhte denoncimi në Polici.
Nga verifikimet ka rezultuar se institucionet arsimore kanë fshehur për pesë ditë ngjarjen e rëndë me vajzën, pasi nuk kanë zbatuar detyrimin për ta referuar çështjen në Polici. Sipas një dëshmie të dhënë dje në Gjykatën e Durrësit, vetë vajza ka deklaruar se mësuesja e saj kujdestare dhe drejtoresha e shkollës “Rilindja” si dhe Drejtoria Arsimore ishin informuar të paktën pesë-gjashtë ditë përpara se ajo bashkë me nënën t’i drejtoheshin Policisë për të kryer denoncim.
Për këtë arsye, (për mosveprim) të këtyre institucioneve arsimore, të cilat heshtën duke fshehur ngjarjen, Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim intensiv, duke thelluar kësisoj edhe hetimet për këtë ngjarje të rëndë. “Prokuroria e Durrësit thellon hetimet lidhur me rastin e 14- vjeçares në Kavajë, e cila u abuzua seksualisht nga shokët e shkollës. Krahas hetimit për të dyshuarit, organi i akuzës ka shtrirë hetimet edhe mbi stafin pedagogjik të shkollës ‘Rilindja’ që frekuentonte vajza si dhe Drejtorinë Arsimore në Kavajë. Kjo për faktin se institucioni arsimor u informua për skandalin dhe për pesë ditë me radhë heshti, duke mos denoncuar krimin në Polici. Hetimet ndaj shkollës janë duke u kryer me përparësi”, tha një burim i Prokurorisë për gazetën.
DËSHMIA
Këtë të shtunë ka mbërritur në Gjykatën e Durrësit 14- vjeçarja nga Kavaja, e cila u abuzua seksualisht nga shokët e shkollës. Me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata vendosi pyetjen e të dëmtuarës, dëshmia e së cilës do të përdoret si provë në procesin ndaj 8 të akuzuarve, apo personave të tjerë që mund të rezultojnë të implikuar në krimin tronditës. Ky veprim hetimor u krye për të shmangur çdo tentativë të mundshme për kërcënimin e të dëmtuarës, që të tërhiqej nga dëshmia, si dhe për shkak të moshës, traumave që ka kaluar e mitura, që mund të çojnë në zbehjen e kujtesës.
Seanca për pyetjen e 14- vjeçares zgjati rreth 3 orë e gjysmë dhe në disa raste Gjykata është detyruar ta ndërpresë atë, pas shqetësimeve të shfaqura nga ana e të abuzuarës. Në dëshminë e saj, e mitura u ka qëndruar deklaratave që ka dëshmuar edhe në Polici. Seanca e marrjes në pyetje është ndjekur përmes monitorit edhe nga avokatët mbrojtës të djemve, të cilët ndodhen tashmë pas hekurave.
Në vendimin e Gjykatës së Durrësit thuhej se pasi u informua për ngjarjen, mësuesja e ka thirrur nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës. Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithçka kishte ndodhur.
Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në Polici. Gjithashtu, edhe pse ka pasur një mbledhje bordi të Drejtorisë Arsimore Rajonale Kavajë për këtë çështje, sërish problemi nuk i është referuar Policisë lokale. Ka qenë vetë nëna e 14-vjeçares, e cila disa ditë më pas, bashkë me vajzën i është drejtuar Komisariatit të Policisë Kavajë për të bërë denoncim. Konkretisht, denoncimi është kryer më 29 janar.
Në Polici, vetë vajza e abuzuar ka deklaruar se gjithçka ka nisur më 19 shtator, në fillimin e shkollës, ku pas një bisede për një detyrë, shoku i saj i ka kërkuar lidhje dashurie. Më pas, në fillim të muajit tetor, kur djali do të mbushte 14 vjeç i ka kërkuar si dhuratë që të kryenin marrëdhënie seksuale. Fillimisht, ajo e ka refuzuar, por pas disa ditësh nga insistimi i djalit, më në fund vajza ka pranuar. Për të kryer marrëdhënie, dy të miturit kanë shkuar në një ndërtesë që dikur ishte bilardo dhe kanë kryer aktin, ndërsa një shok i 14-vjeçarit qëndronte jashtë ndërtesës për t’u siguruar se nuk do t’i zbulonte njeri. /Burimi:PanoramA/