Vllaznia do ta nisë vitin 2022 me një supersfidë ndaj Tiranës në transfertë. Ashtu siç ishte thënë edhe më parë, Vllaznia që dje është larguar nga Shkodra, duke u vendosur në Durrës për të përgatitur sa më mirë këtë takimin nga bardhebluve.
Trajneri Brdariç ka kërkuar një terren sa më të mirë për lojtarët dhe drejtuesit e klubit nuk janë kursyer për t’ia plotësuar dëshirën, ndërsa kjo lëvizje i shërben skuadrës edhe për të larguar presionin që ka në qytet. Në drejtim të Durrësit me ekipin kanë udhëtuar edhe katër lojtarët që në miqësoren me Tërbunin kanë shfaqur probleme.
Ersin Hakaj, Fjoart Jonuzi, Ante Aralica e Fahrudin Gjurgjeviç kanë udhëtuar dje me ekipin dhe për më tepër mësohet se kanë dalë në stërvitje për të qenë në dispozicion të teknikut Brdariç për supersfidën ndaj Tiranës.
Të katër këta lojtarë kanë pasur probleme fizike e shëndetësore dhe kanë shqetësuar jo pak teknikun gjerman. Megjithatë, si Hakaj, Jonuzi, Aralica e Gjurgjeviç japin shpresa se do të jenë në gjendje për të përballuar me sukses sfidën e së shtunës.