Përpiqem ta mirëkuptoj shqetësimin e disa prej miqve të mi kur shprehen publikisht kundër protestave të dhunshme, në parim jam plotësisht dakord dhe mbetem kundër dhunës! Por të kërkosh protesta paqësore në një vend ku drejtimi vetëm i paqtë nuk është, i bie sikur ti kërkosh peshkut noto në rërë, or mik!
Lumi, kur del nga shtrati rrëmbyeshëm, bën edhe dëme, sado që në përditshmëri është i qetë. Prandaj merren masat për të krijuar kushtet e pershtatshme, që edhe kur kjo të ndodhi, pasojat të jenë sa më të pakta. Reagimi i popullit është i ngjashëm me vërshimin e lumit kur del jashtë kontrollit.
Këto protesta sot nuk janë një rast i shkëputur, një akt vandalizmi apo një moment nervozizmi, por një proces i gjatë protestash e reagimesh ndaj padrejtësisë, një zgjim i ndërgjegjes për të reaguar brenda dhe jashtë vendit, me qëllim ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe shmangien e dhunës dhe korrupsionit institucional.
Në këtë situatë janë ndodhur studentët si sot para dy vitesh, po ashtu gazetarët si sot para një viti. Po i përmbledh me foto vetëm disa, thjesht siç mi ka risjell Facebook në vëmendje sot, pasi ndodhin kaq shumë ngjarje në një ditë, sa kemi filluar ta kemi memorien shumë të shkurtër.
Do ishte mirë që secili të bëjë detyrën qytetare të përditshme, duke iu përgjigjur JO arrogancës e dhunës së pushtetit, dhe pastaj të reagojë kundër protestës së dhunshme të disa të rinjve që kanë humbur shpresën në vend, por nuk i jepet as shansi të largohen për një jetë më të mirë! /Nga Eli GOLEMI/