Sa herë vij në Shkodër e, kur merret kthesa me pa kalanë, dëgjoj britmat e asaj Rozafe, asaj nuse dhe nane të re, që thotë: ”O Tinka Kurti!” Me nji za të çjerrun, që vjen nga kohërat dhe legjendat, nga muzgjet dhe perëndimet e diellit, prapë më thotë: ”Ma duj Shkodrën fort!”❤
Gëzuar 89 vjetorin e lindjes e madhja Tinka Kurti!????⚘?
Të paçim sa më gjatë në mesin tonë plot shëndet!❤
Më poshtë do të lexoni një shkrim mbi jetën e Tinka Kurtit, shkruar nga Xhahid Bushati.
Tinka Kurti
“Prej kohësh kam menduar të shkruaj për njerëz që kam hasur në jetë, për ngjarje që i kam jetuar vetë apo që më kanë treguar të tjerët…. Koha që po kalojmë po lë fare pak dëshmi të gjalla: rrallëkush mban ditare, shkruajnë letra të shkurtra për çështje pune, botohen pak memuare. … jemi grindur aq shumë me të kaluarën, sa s’kemi mundur të mendojmë për të ashtu siç duhet. Gjatë këtij gjysmëshekulli vlerësimi për njerëzit dhe për ngjarjet ka ndryshuar shpesh, fjalitë na kanë mbetur në mes, mendimet dhe ndjenjat tona, dashje pa dashje, i janë nënshtruar trysnisë së rrethanave…”
Ngado që të udhëtojë kjo grua, era e shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një kujtim i bukur e mbresëlënës edhe ajo rrugëza e parë – si një motiv fëmijërie, edhe trokitja e parë në portën e teatrit “Migjeni”. Vit pas viti, kohë pas kohe, biografia e saj artistike pasurohet me personazhe. Dhe… ajo, Tinka Kurti qëndron në mes tyre si “Zojë e randë” e teatrit dhe e kinemasë shqiptare, një aktore që nuk ka ndërmend të plaket. Mbase… janë raste të rralla, kur në flokun e bardhë e fisnik të pleqërisë së saj ende “shëtit me plot andrra” mosha e rinisë. E ky përjashtim, në qoftë se do ta quajmë përjashtim ka ndodhur tek kjo aktore që quhet Tinka Kurti. Dhe arsyeja, sipas koleges së saj, Të Madhes Margarita Xhepa, është: “Tinka me interpretimet e saj ka sjellë një galeri rolesh të mëdha, jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia, – si një vlerë e bukur, me përmasa të mëdha për artin shqiptar. … Ajo mbetet një thesar me personazhet e saj në teatër dhe kinematografi.”
Kujtime… nga drama “Histori irkutase”
“T. Kurti u paraqit me një rol shumë të vështirë, por artistja e talentuar e kaloi me lehtësi çdo vështirësi. Ajo, si gjithmonë, edhe kësaj here krijoi me temperament skenik në figurën e heroinës së saj tre njerëz të ndryshëm, të shkrirë si një trup i vetëm në personazhin e Valjes: Valjen “e dorës” së shthurur moralisht, Valjen e lumtur, që gjen dashurinë e vërtetë, dhe Valjen nënë e vejushë, që ruan me respekt kujtimin e burrit të saj të dashur. T. Kurti e zbulon përmbajtjen e figurës së vet gradualisht e me thjeshtësi aktori, saqë e shndëron heroinën e saj nga një vajzë që jeton pa qëllim, në një grua të denjë, për të cilën jeta është shumë kuptimplote. Me Valjen e aktores nuk dashurohet vetëm Sergei, por e tërë salla. Dhe këtu mendoj se qëndron mjeshtëria skenike e aktores T. Kurti, heroinën e së cilës e pamë, e prekëm, e ndjemë dhe e dashuruam.”.
Tinka Kurti u lind më 17.12.1932, në një lagje të Sarajevës. (Në Sarajevë lindi dhe Shvarc-i i madh “Nderi i Kombit”, ku dhimbjen si pikë loti e vendosi në çdo varg të poezisë – erëmalli “Ma vranë Sarajevën”. Më kujtohen vargjet, që skaliti Vendlindjen: “Do ta ruaj në kujtesë / ashtu të hirshme siç e lashë / në fëmijëri, / ashtu të butë dhe njerëzore, / ashtu gjithë tinguj e poezi…”)
… dhe “rrënjën” e parë të Tinka Kurtit do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Të Shkodrës!…, – siç shkruante Shvarc-i me aq ëmbëlsi e me plot ngjyresa duke ruajtur tipologjinë e një serenate shkodrane:
“O net’ të Shkodrës, pse po më rreni?
O yje t’ambla, pse lueni me mue?
Ah, unë e di – një tjetër keni –
Por unë ju deshta e prap do ju due!”.
Tinka – interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi, për rolet që dhuroi, pak kush mund ta nxjerrë nga mendja, pak kush mund ta harrojë. Tinkën!.. – që siç thotë Tinka ende sot: “Unë jam dhe mbetem aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia. Aty hodhi hapat karriera ime, që nisi me “Dasmën shkodrane”, kur isha 16 vjeçe …”.
Çuditërisht, në atë rrugë që mbante emrin “Hysaj”, dhe ku banonte ajo vajzë, në atë shtëpi të vogël, nuk kishte asnjë artist apo njeri që merrej sadopak me art… Ishte një rrugë e zbrazët… Askush nuk ndikonte, askush nuk transmetonte qoftë një grimcë talenti dhe magji arti. Mesa dukej vetëm mosha me sekretet e saj fshihte magjinë që më vonë do të shfaqej si vjollcë në pranverë, me një qeshje të bukur të kësaj një vajze çapkëne dhe shumë gazmore. Ajo do të rrezatonte në universin e aktrimit. Kështu do të kalonte Tinka një fëmijëri me ëndrra, më shumë në krahët e nënës sesa të babait.
Shpesh ndodh që jeta të hedh në brigje të panjohura, kurse ëndrrat – në brigje të largëta, drejt të cilave duhet të ecësh, të stërmundohesh dhe ndoshta nuk i arrin… Kështu ndodhi me Tinkën…
Jeta e hedh në një “vendqëndrim” të përkohshëm si punonjëse e Muzeut të rrethit të Shkodrës, ndërsa zëri i skenës e thërret vazhdimisht. E thërrasin ëndrrat për të bërë një realitet ëndrrën e saj. Si shumë kolegë të saj, Tinka nisi udhën në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës. Shumë shpejt shndrit mbi të tjerët. Hyn në teatrin “Migjeni”, shpejt fiton emër…
Bep Shiroka, Artist i Merituar, kujton: “Kur kam hyrë në teatrin “Migjeni”, Tinka kishte emër dhe kishte 10 vjet si aktore profesioniste. Ndoshta jam partneri që kam role më shumë se të tjerët me të. Roli im i parë ka qenë te drama “Nora” e A. Skanjetit. Por roli im i parë i rëndësishëm ka qenë te drama “Histori irkutase”. Valja-Tinka ishte një rol që nderonte aktoren. E gjithanshme. Ajo pëson një metamorfozë dhe bëhet një grua ideale. Tinka jo vetëm shpalos një botë të mrekullueshme prej aktoreje, por kalon situata të ndryshme të interpretuara natyrshëm, me ngrohtësi dhe vërtetësi. Roli i Valjas është i bukur profesionalisht, pa batakçillëk”.
Duke iu kthyer dramës historike “Nora”, në arkivën e regjisorit e njëkohësisht autorit Andrea Skanjeti, Artist i Popullit, lexojmë këto shënime: “E kujtoj dhe tani efektin që bëri Tinka Kurti në dramën “Nora”, dramë që e kisha shkruar dhe vënë në skenë, e që e kisha për zemër. Mbante foshnjën e vdekur në duar. Ajo nuk qante, por fytyra e saj ishte pasqyra e shpirtit që reflektonte të gjitha ndjenjat, mendimet, përshtypjet, sensacionet, të gjitha çka i kalonte nëpër mend një nëne, gjithçka turbullonte shpirtin e spikatur nga kontraksione të veçanta. Ajo krijoi një skenë dhimbjeje të thellë, që depërtoi te spektatori. Më kujtohen raste të tilla, kur aktorë jo të aftë, kanë krijuar te spektatorët qeshje e jo dhembje e lotë”.
Duke iu kthyer dramës “Nora”, por kësaj radhe të H. Ibsen-it, ku Tinkës iu besua roli i Norës, në një shkrim, ku evidentohet krijimi i saj aktorial, lexojmë: “Tinka Kurti e ka kuptue mirë karakterin e Norës dhe që në fillim e krijon drejt figurën. Ajo tregohet shumë e talentueme në krijimin e situatave e sidomos në kthesat psikologjike. E këtë e ban me vërtetësi dhe me realizëm të thellë, po sforcim e pa teatralitet.
…
Në skenat e aktit të tretë aktorja ka momente të bukura. Ajo tregohet e aftë për detajet e kthesat e njëpasnjëshme e të paprituna që i detyron roli. Detaji kur i ndez me qiri cingaren doktorit Rank, ose kur i thotë atij: “gjumë të ambël Rank” jepen me ngjyra e theksohen me një nëntekst kuptimplotë; me intonacionin e zanit e me diksionin e saj të pastër skenik.
…
Tinka Kurti ka andrrue prej kohësh për interpretimin e këtij personazhi, prandaj ajo ka punue me ngulmë, me pasion për detyrën e me durim profesional. … Tinka Kurti na jep një Norë që të len mbresa e të ban me mendue.”.
Ka kaluar mbi gjysmë shekulli a diçka më shumë, që kur aktorja Kurti ka nisur rrugën e saj të karrierës. Kur ishte vetëm 14 vjeçe, ajo del për herë të parë në skenë. Ndërsa 25-vjetorin e saj e feston gjatë xhirimit të filmit të parë shqiptar, “Tana”. Për Tinkën dy çmimet e para janë: njëri në Festivalin e Parë të teatrit shqiptar (me dramën “Toka jonë”), dhe tjetri në Festivalin e parë të Filmit (me kinokomedinë “Çifti i lumtur”).
Më vonë, me një karrierë të gjatë, aktorja shkodrane Kurti, meriton shumë çmime deri në Festivalin Kombëtar të Teatrit, të zhvilluar në Vlorë, rreth një dekade të shkuar, ku ajo merr Çmimin e karrierës.
Por Tinka nuk harron…
“Interpretimi im i parë është në rolin e Natalies te “Fejesa” e Çehovit. Ishte viti 1947, dhe data 8 mars. Por ai më i rëndësishmi që, për mua provoi përfundimisht rrugën e artit, është roli i Files tek “Toka jonë” e Kolë Jakovës. Ky qe roli im i parë në teatrin profesionist, përligjja ime e parë si artiste profesioniste.”.
Kurti ka interpretuar rreth 95 role në film dhe mbi 330 role në skenë; (paçka se edhe këto shifra mund të mos jenë të sakta). Por “çdo rol është pjesë e mishit dhe e gjakut të artistit. Gjithë rolet e mia janë fëmijët e mi dhe nëna i do njësoj të gjithë fëmijët. Ju fola, pak më parë, për Filen e dramës “Toka jonë”, po unë kam luajtur me po atë dëshirë e pasion edhe Loken e po kësaj drame. Kam luajtur dhe role, të “ashtuquajtura negative”, të cilat i dua njësoj si dhe ato të heroinave tona. Megjithatë…, siç ju thashë, njësoj si Filen, Zanën, Nënëmadhen… Pashakon dua dhe Zyrakën e “Kënetës”, profesoreshën Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe”, etj. Ndiej krenari se unë kam luajtur Tanën në filmin e parë shqiptar “Tana”, por në shpirtin tim: skena është jeta ime!”.
Në tërë këtë galeri, figurat-nëna zënë një kapitull të veçantë. Pikërisht në këto rrafshe dua të shfaq disa këndvështrime të mia.
Te drama “Çmurosja” me autor e regjisor S. Fankon, ajo paraqiti figurën e një gruaje të ndrydhur para zakoneve dhe kanunit, e para zakoneve të burrit. Përveç këtyre, kësaj gruaje i duhet të përballojë edhe vdekjen e të shoqit. Dramë për këtë grua-aktore. Fëmijët nuk i ka pranë. Ata janë larg. Gruaja tani është vetëm. Nëpërmjet monologut të vetmisë që interpreton, ajo zbërthen në mënyrë artistike jetën e saj. Gjatë interpretimit shfaqen edhe momente impulsive, të cilat dhe për një çast mund të të humbasin marrëdhënien me rolin a figurën që je duke interpretuar. Por aktorja Kurti ruan masën dhe rrafshin e dhembshurisë prej nëne, të cilave u jep hapësirë cilësive njerëzore dhe në veçanti Mëmësisë i jep madhështinë e veçantë.
Te drama “Gjaku i Arbrit” i autorit F. Kraja, aktorja Kurti interpreton figurën e Nënëmadhes. Një kulm i vlerave të saj aktoriale. Nënëmadhes i vjen mandata se djemtë i kanë vdekur. Të bijën e ka martuar nëntë male larg. Në stoicizmin e saj, përmes vijave të tragjizmit e të brengës që e kanë pllakosur, ajo nuk përulet, por burrave u flet me gjuhën e burrërisë e të urtësisë. Karakteri i saj që vjen e plotësohet përmes dialogut, merr një përmasë: sa reale, sa mitike aq dhe ireale. Një rol që mbart kodin e fisnikërisë dhe të urtësisë së maleve.
Te filmi “Zemra e nënës”, ec-e-jaket e saj përmes dramës së heshtjes, bisedat me kukullat e në varrezë, flasin për një figurë komplekse që endet në vorbullën e mendimeve e të ndjenjave, të dhembjes e të mençurisë, të anormalitetit e normalitetit. Përthyrjet që zhvillohen në ndërgjegjen e saj, flasin për një shpalosje meditative, gjë që ka bërë që Tinka Kurti të krijojë figurën e një nëne, (e cila jeton dramën e vetmisë), me një profil artistik ndryshe, pa përsëritur e pa të kujtuar ato të mëparshmet. Dhe për këtë përndritje roli, mori dhe Çmim në Salerno.
Te këto personazhe nënash, përfshirë edhe Pashakon, aktorja Kurti nuk harron të thotë: “Unë jetoj me personazhet. Unë kërkoj të di gjithçka për personazhin që më është dhënë të interpretoj, gjithçka që ka të bëjë me të para se ai të hyjë në skenë dhe pasi del nga skena… Por mbi të gjitha unë dua të jem e sigurt mbi të kaluarën dhe të ardhmen e personazhit tim”.
Ndalemi tek personazhi i Nënë Pashakos. Seç i fryn një fllad i pareshtur kujtimesh për këtë figurë! Bashkë me realizimin të dinjitetshëm artistik, ka dhe një fanitje a feksje prej ylli, sa ëndërrore aq qiellore për personazhin që krijoi… Mbase edhe përtej ëndrrës!.. Nënë Pashakoja, vetë, ishte një magji. Tinka e dashuroi dhe e ‘frymoi’ për ta përjetësuar në art përmes magjisë së saj aktoriale. Dhe Tinka nuk harron të thotë: “Nënë Pashako ka qenë një rol, të cilës unë i jam shumë borxhlije, pasi kishte aktore më të mëdha se unë, që mund ta interpretonin atë rol. Edhe pse me kontraste moshash, të gjithë më thanë: – Sa bukur e ke interpretuar! Ndërsa unë i thoja vetes: “Ende ke lënë diçka mangut…, sepse mendoja gjithëherë sa borxhlije i jam asaj, Nënë Pashakos. … Megjithatë, unë kam jetuar me të, kam ngrënë bukë me të, kam fjetur 15 ditë në një krevat me të. Kur e shoh, sot e kësaj dite mendoj se i kam një borxh të madh Nënë Pashakos. Megjithatë, në moshën 38 vjeçe të luash një nënë 110 vjeçe është diçka e veçantë. Ajo ishte një grua shumë e mrekullueshme.”
Artistja e Popullit, Tinka Kurti është një aktore, që të gjitha roleve iu ka dhuruar me shpirt talentin e saj. Asnjërin nuk e ka nënvleftësuar. I ka luajtur me dritën e shpirtit. Ndaj dhe figurën e saj e ka gdhendur skena e teatrit dhe celuloidi i kinematografisë. Dhe… në një intervistë thotë kështu: “Unë nuk mund të ndaj asnjë nga rolet e mia, pasi të gjithë janë shumë të dashur për mua, nisur nga filmi “Tana”, që ka qenë filmi i parë shqiptar dhe deri më tani…”.
Më kujton kjo artiste një varg poezie, me autore të madhen Nënë Terezë, e cila thoshte: “Jetën jetoje”! Më kujton kjo artiste, ende edhe sot e kësaj dite një peng të saj në ecurinë e mëtejshme të karierës, i cili ishte: “… që nuk luajta dot një rol në filmat e së talentuarës-regjisore Xhanfise Keko. Nuk e provova dot mjaltin dhe magjinë e saj. Ah!..”
Bota e magjishme e Tinkës, përmes viteve, kujtimeve, mbresave… Një muze kujtese e artit skenik e kinematografik shqiptar
1.
“U vu në skenë melodrama “Dasma shkodrane”. Rastësisht regjisori Andrea Skanjeti erdhi te kori me kërku e me zgjedhë personazhin Nuse. Pas shumë kërkimesh e kqyrjesh, më zgjodhi mua për “Nuse”. Gjatë interpretimit, i thosha aktorit Zef Jubani (kishte rolin e Axhës), duke qarë se, Unë dua një djalë tjetër… Ai më përgjigje: “Kjo “Nuse” është për teatër…”. Kështu hyra në dyert e teatrit “Migjeni”.
2.
“Unë jam e dashuruar pas muzikës klasike e operistike. Aq sa dua teatrin, e dua më shumë muzikën. Të më çosh në opera, unë ripërtërihem. Dhe në rolin e Files, më ndihmoi “opera”. Aty futa diçka nga “Kavaleria Rustikana” si prolog para fjalës: “Kanë vrarë Murrashin!”… U krijua një elektrizim në sallë. E ka thënë shumë bukur Artisti Kadri Roshi: “Na befasoi Tinka, u çua salla në këmbë…” Ndërsa aktori Zef Jubani që ishte shumë muzikor, më thoshte pas skenës: “Nuk ke hy në kohë, hyr në kohë!..”
3.
Unë e kam admiruar Zef Jubanin me ata kryerolet e veta, me Harpagonin tek “Tartufi”. Në lidhje me Harpagonin që interpretoi… dua të them ca fjalë. Regjisori Lec Shllaku nuk ia dha Zefit, fillimisht. Atë rol ua dha dy aktorëve. Njëri ishte Lin Gjonej, kurse tjetri vinte nga klasa punëtore. Papritur u sëmur aktori kryesor. Regjisori thirri Zef Jubanin që të bënte aktin e katërt. Ndërkohë Zefi bënte edhe suflerin në teatër. Kur erdhi puna në monolog, Zefi lëshoi një britmë: “Gilda figlia mia” (Xhilda, vajza ime…). La nam. Gjëmoi salla nga mënyra e interpretimit. Çfarë ndodhi?!.. Zef Jubani ishte fenomen. Ai punonte në shtëpi “Rigoleton” dhe bënte Harpagonin. Në 12 minuta monolog, Zefi bënte vetëm arien e Rigoletos “Gilda figlia mia…”.
4.
‘Tana’ është filmi i parë dhe i rëndësishëm në jetën time artistike. Tek ai film kam pasur partner të mrekullueshëm, si: Naim Frashërin, Kadri Roshin, Pjetër Gjokën, Marie Logorecin, Andon Panon… Pastaj në filma të tjerë kam luajtur me Bujar Lakon, Timo Fllokon, Çim Xhepën … Çimin e kam pasur unë më shumë partner se mamaja e vet. Në film Çimi është djali im, në jetë është djali i Margaritës.”
5.
Dua të veçoj Artistin Sandër Prosi. Ruaj kujtimet më të mira për të. Ka qenë një figurë jashtëzakonisht e madhe. Sandër Prosi, jo vetëm, që ishte aktor i madh, por ishte dhe Njeri i madh. E ndihmonte shumë partnerin. Mua gjithmonë më ka mbajtur afër. E kam pasur si një busull orientimi. Për shembull, te “Nënë Pashako” më ka ndihmuar shumë.”
6.
“Unë kam pasur shumë jetë artistike. Gjatë interpretimeve kam pasur partner (personazhe) shumë burra … Por ka pasur edhe ndonjë të veçantë që mua më pëlqente të luaja me të. Mua më pëlqente që të luaja në film me aktorin e talentuar Naim Frashërin. Tana, në filmin “Tana”, ishte 16 vjeçe, kurse unë isha 24 vjeçe. Dhe e kundërta, 38 vjeçe kam luajtur Nënë Pashakon. Pse e pëlqeja Naimin, siç thashë. Ai ka qenë një djalë fenomen, një artist në shpirt. Sa herë unë i flisja “Shpirti jem!”; ai ma kthente ‘O, nana ime!’[8]
***
Siç duket arti ka qenë dhurata për artisten Tinka Kurti, e cila ishte 28 vjeçe kur iu akordua titulli: “Artiste e Merituar”; ndërsa në 80-vjetorin e lindjes u vlerësua me titullin e lartë: ”Nderi i Kombit”. Ka qenë një mrekulli, se vetë Tinka Kurti është mrekullia artistike. E, pse jo edhe një mrekulli shkodrane. Të Shkodrës!…, – siç shkruante Shvarc-i përmes tingëllim-ës plot kontraste nostalgjie dhe dhimbjeje:
“Ah, Shkodra jeme, ….
…………………………
Po due me t’përshëndetë në shenjë nderimi
Edhe k’te herë, o Shkodra jeme prore
Sa e madhnueshme n’dashtni aq edhe n’idhni!”
Artistja zëmadhe Tinka Kurti ende ka për të rrëfyer, ende ka për të thënë… Rrëfimi dhe thëniet janë amanet. Amaneti i saj thotë kështu: ”Unë kam kalu gjithë këto vjet në Shkodër. Kjo Shkodër, kjo kala, këta njerëz kaq të dashur nuk mund të harrohen kurrë prej meje. Edhe pse jetoj në Tiranë, shpirti im është brenda këtij teatri, këtij qyteti, poshtë kësaj kalaje e nën këtë qiell shkodran të mrekullueshëm.
Sa herë vij në Shkodër e, kur merret kthesa me pa kalanë, dëgjoj britmat e asaj Rozafe, asaj nuse dhe nane të re, që thotë: ”O Tinka Kurti!” Me nji za të çjerrun, që vjen nga kohërat dhe legjendat, nga muzgjet dhe perëndimet e diellit, prapë më thotë: ”Ma duj Shkodrën fort!”.