Vllaznia fitoi sot ndaj Kukësit dhe i dha titullin kampion Tiranës, pas 11 vitesh. Goli i Adilit në minutën e 87 vulosi ndeshjen, duke i dhuruar fitoren Vllazninës, që tashmë lufton për të dalë nga zonë e “Play-Out”, ku ndodhet dy pikë pas Bylisit. Pas ndeshjes për “Super Sport” foli trajneri i shkodranëve, Hysen Dedja.
“Ka tre javë që ekipi po luan mirë dhe ka lojtarë me vlera. Më vjen keq për ndeshjen në Korçë. Pas humbjes me Teutën 3-0, kam thënë se karakteri jonë rritet me stërvitje, pavarësisht se është fundi i sezonit. Nuk e meritojmë zonën ku po shkojmë. Rrita ngarkesën dhe skuadra m’u përgjigj. Jemi stërvitur dy herë në ditë. Sot ishte pika kulminante.
Ato që kemi shprehur në stërvitje, i kemi shprehur në fushë. Sot nuk luajta për interesat e Tiranës, por të klubit tim. Por sigurisht që kjo skuadër duhet të luajë ndershëm ndaj Bylisit. Nuk e imagjinoj dot që kampionia e Shqipërisë dhe që ka fituar në Kupë të dështojë. Nuk e imagjinoj dot, duhet që të luajnë ndershëm.
Djemtë e Vllaznisë nuk kanë pyetur kurrë për sponsor, por më thonë gjithmonë që si mund të nxjerrin maksimumin nga vetja. Kalendarin e ka Vllaznia më të fortë se Bylisi. I kam thënë sot para ndeshjes me Kukësin lojtarëve që objektivat tona janë më të mëdha se të atyre“, u shpreh Dedja.