Nisur nga lidhjet e shumta miqësore dhe farefisnore që kishin banorët e rrethit të Tropojës me ata të malësisë së Gjakovës dhe trevave të tjera të Kosovës, vëmndja e tyre ndaj Jugosllavisë së Titos ishte dhe më e madhe se e krahinave dhe rretheve të tjera më në brendësi të vëndit. Gjë të cilën e favorizonte edhe pozita gjeografike e atij rrethi veri-lindor ku valët e kanaleve të televizioneve jugosllave dhe atij të Prishtinës depërtonin më me lehtësi.
Nisur nga këto, natyrshëm që në biseda të ndryshme, ku hapur dhe ku nën zë, banorët e rrethit të Tropojës të diskutonin me njëri tjetrin edhe për Jugosllavinë dhe udhëhëheqësin e saj, Josif Broz Tito. I cili falë politikës së të “paangazhuarit”, ku e kishte futur Jugosllavinë (apo siç e etiketonte propaganda zyrtare e regjimit komunist të Tiranës si “Bota e tretë”), nga mesi i viteve ’70-të e deri sa vdiq në 1980-ën, ishte në vëmëndje të qarqeve politike botërore. Gjë e cila u duk qartë edhe në varrimin e tij më 4 maj 1980, ku morën pjesë përfaqësues të lartë nga 120 shtete të botës dhe gjithashtu nga 200 parti politike nga mbarë bota.
Por siç dihet tashmë kjo gjë nuk vlente për Shqipërinë, ku Josif Brozi ishte deklaruar botërisht nga Enver Hoxha si “revizionist” dhe një nga “armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar” dhe kësisoj, përmëndja e emrit të tij, apo më saktë lavdërimet në adresë të Titos, ishin me pasoja të rënda për këdo. As më pak dhe as më shumë ato biseda me karakter politik konsideroheshin “agjitacion e propagandë” dhe shtetasit e ndryshëm që denoncoheshin për ato fjalë dënoheshin me burg politik.
Kështu i ka ndodhur edhe Zenel Buçpapajt, nga fshati Dojan i Bujanit të Tropojës, i cili në vitin 1977 në biseda të ndryshme gjatë zborit ushtarak, ishte shprehur dhe kishte dhënë konsideratat e tij pozitive për Josif Broz Titon. Madje duke e konsideruar atë si “kokë e madhe” dhe politikan që “lufton për paqen” etj etj.
Por kjo “herezi” e tij është denoncuar në “organet kompetente” (Sigurimi i Shtetit), ku ai është arrestuar menjëherë dhe është dënuar me gjashtë vjet burg politik. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë shkrim, ku Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tropojës, me anë të një letre që mban datën 17 dhjetor 1977, ka informuar Komitetin Qëndror, mbi dënimin e Zenelit, i cili deri në momentin e arrestimit ishte dhe komunist me teserën e anëtarit të partisë në xhep. Sipas dokumentit në fjalë, për dënimin e Zenelit bëhet e ditur se;
“Tek ky njeri ka ndikuar drejt për drejt propaganda e armikut, shtypi, radjot dhe televizioni jugosllav, sidomos propaganda që ju bë Titos gjatë vizitës së tij në Kinë dhe se Zenel Buçpapaj kishte filluar pakënaqësitë e tij, pas dënimit të xhaxhait të tij, oficer madhor, me grupet puçiste”. Gjë e cila rezulton të jetë e vërtetë, pasi xhaxhai i Zenelit, Rustem Arif Haxhiaj,(Buçapaj), ushtarak madhor në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, dhe i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, diku nga viti 1975 u arrestua si “bashkëpunëtor i Beqir Ballukut” dhe u dënua me 15 vjet burg politik.
Kjo gjë e rëndoi së tepërmi pozitën shoqërore dhe politike të familjes dhe gjithë fisit Buçpapaj, gjë e cila thuhet se u bë edhe shkaku kryesor që ndikoi në arrestimin dhe dënimin e Zenel Buçpapajt në pragun e vitit të ri 1977. Dhe këto dënime me burg politik të dy prej burrave më në zë të fisit Buçpapaj, të cilët nga komunistë u kthyen në “armiq të popullit” dukej se “mjaftonin” që pjestarë të tjerë të atij fisi të shikoheshin me sy tjetër nga regjimi komunist dhe pushteti popullor i asaj kohe. Kështu sipas dëshmisë së djalit të Zenel Buçpapajt, Ademit, ndërsa i jati vuante dënimin në burgun e Ballshit, jo vetëm familja e tij që pati pasoja persekucioni, por ajo gjë u ndie dhe tek pjesa më e madhe fisit të tyre.
Si p.sh. te kushërinjtë e tyre të afërt, si Skënder Buçpapaj, letrar i ri në atë kohë, të cilit ju privua shkolla e lartë për disa vjet dhe u detyrua që të punonte në gurore si punëtor i thjeshtë dhe hekurkthyes për vite me rradhë. Të njëjtin “fat” pati dhe i vëllaj, Mujo Buçpapaj, gjithashtu letrar i ri dhe i vlersuar për talentin e tij si poet dhe prozator, ku për shkak të biografisë, nuk iu botua një libër për vite me rradhë dhe shkolla e lartë gjithashtu si atij dhe Skënderit, iu dha pas ndërhyrjes dhe ndihmës së madhe të Dritëro Agollit.zenel-2
Bashkë me dokumentin në fjalë që publikohet i plotë dhe me faksimilet për katëse ekskluzivisht për gazetën TemA, po publikojmë edhe disa foto të familjes së Zenel Buçpapajt dhe xhaxhait të tij, Rustem Haxhisë, të cilët i vuajtën dënimet të plota pa i “mbetur borxh” asnjë ditë atij regjimi, dhe arritën të dalin gjallë nga burgjet e ferrit komunist, ku shumë bashkëvuajtës të tyre lanë kockat atje dhe eshtrat e shumë prej tyre ende nuk janë gjetur.
PARTIA E PUNES SHQIPERISE
KOMITETI I PARTISE RRETHIT Bajram Curri, më 27.12.1977
T R O P O J E
Nr. 872 Prot.
KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së
T I R A N E
Kohët e fundit u arrestua dhe u dënua me 6 vjet heqje lirije, Zenel Buçpapaj, anëtar partije që nga viti 1961, me gjëndje kooperativist, me arsim 8-vjeçar dhe kurs Partije. I lartëpërmënduri në një stërvitje ushtarake ka agjituar para një grupi rezervistësh duke u shprehur hapur se; “Tito është kokë e madhe botërore”, “Kia inatin dhe foli hakun”, është “njeri i zoti”, “Lufton për paqen”, etj. Në kohën që bëhej qitja në tabelë ku ishte skicuar koka e Titos, nuk pranoi të qëlloj, gjoja nën pretekstin se nuk shihte nga sytë. Kur rezervistët e kundërshtuan dhe e kritikuan për pikpamjet dhe qëndrimin e tij, ai përsëri nguli këmbë në mendimine tij për Titon.
Nga ananliza që bëri organizata bazë, doli se Zeneli ishte kritikuar për indiferentizëm dhe inaktiv ndaj Partisë, nuk ka marrë pjesë aktive në debate e diskutime, është paraqitur si i fjetur në organizatën bazë. Sa doli nga diskutimet, ai edhe herë të tjera ka përshpëritur mendime të mjegullta për probleme të ndryshme teorike që janë rrahur në format e edukimit të Partisë, por nuk i janë vlersuar duke i parë si diçka thjesht të nivelit gjoja të ulët të Zenelit.
Indiferentizmi dhe pakënaqësia e tij qenkan shtuar gjoja pas arrestimit dhe dënimit me heqje lirije të një axhës së tij, oficer me grupin e puçistëve. Edhe një axhë tjetër është dënuar për vjedhje.
Sa gjykojmë ne, tek ky njeri ka ndikuar drejt për drejt propaganda e armikut, shtypi, radjot dhe televizioni jugosllav, sidomos propaganda që ju bë Titos gjatë vizitës së tij në Kinë dhe pas saj.
Veprimi i tij u bë objekt diskutimi në organizatën bazë të Partisë, organizatën e Frontit, koopetartivës, organizatave të tjera të masave dhe në njësinë ushtarake ku çfaqi fillimisht pikpamjet. Organizata bazë duke u ballafaqur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, mbi kuptimin e presionit armik dhe zhvillimin e luftës së klasave në Parti dhe jashtë saj, në kushtet e rrethimit të bllokadës imnperialisto-revizioniste, bëri një analizë me vlerë punës së saj për edukimin ideologjik të komunistëve dhe kooperativistëve, nxorri përgjegjësinë dhe caktoi detyrat për forcimin e punës edukative me komunistët dhe kooperativistët të jetës së brendëshme të organizatës bazë, kritikës dhe autokritikës, mprehjes së vigjëlencës politike ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm.
Nga ky rast Komiteti i Partisë u mundua të nxjerrë mësime për forcimin e të gjithë punës ideo-politike me komunistët dhe me popullin, për njohjen më thellë të formave të luftës që përdor armiku, veçanërisht titizmi jugosllav.
Në kuadrin e luftës parandaluese kundër kriminalitetit, në frymën e letrës së Komitetit Qëndror të Partisë dhe të analizës që bëri Komiteti i Partisë, po bëjmë një punë të veçantë në Parti e në masa për demaskimin e titizmit jugosllav, të veprimtarisë së tij armiqësore kundër vëndit dhe rrethit tonë, lidhur ngushtë me të gjitha rrymat e tjera të revizionizmit Hrushovian, Kinez etj.
Me gjithë komunistët dhe masën e popullit kemi filluar të studjojmë në mënyrë të organizuar dy kapitujt e fundit të raportit të Kongresit të 7-të, artikullin “Teoria dhe praktika e revolucionit proletar”, “Biseda e shokut Enver me Çu En Lain”, “Hrushovi në gjunjë para Titos”, “Revizionizmi pa maskë”. Kemi intesifikuar punën me shtypin e përditshëm etj.
SEKRETARI I PARE I KOM. PARTIS ERRETHIT
(Hysen Papaj)