Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet e fundit për ndeshjen e mbrëmjes së sotme kundër Çekisë. Kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e fundit në stadiumin “Arena Kombëtare”, pas konferencës për shtyp të trajnerit dhe mbrojtësit Arlind Ajeti. Përveç drejtuesve të lartë të FSHF-së dhe ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla që nuk kuptohet se me çfarë statusi qëndron deri në fund të stërvitjes së ekipit kombëtar, grupi kishte edhe një tifoz special.
Klaus Gjasula ishte i pranishëm në fillimin e seancës stërvitore. Mesfushori, i cili u tërhoq nga Kombëtarja shqiptare pas Europianit, takoi kështu kuqezinjtë në stadiumin ku do të luhet përballja. Ai pati edhe një përqafim special me trajnerin Silvinjo. Po ashtu i pranishëm ishte edhe Ermir Lenjani dhe Odise Roshi.
Seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe ekip në fushë provoi disa situata të ndryshme loje dhe vendosje taktike. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen kundër Çekisë.
Formacioni fitues nuk ndryshohet. Mesa duket ky do të jetë postulat i Silvinjos për këtë ndeshje. Edhe pse trajneri në konferencë për shtyp u shpreh se ka 2-3 lojtarë me probleme të vogla, nuk priten ndryshime në formacion. Kuqezinjtë me shumë mundësi do të luajnë si në Gjeorgji me Strakoshën në portë, Ajeti-Ismajli qendra e mbrojtjes, Mitaj dhe Balliu nga krahët. Ramadani, Asllani dhe Laçi në mesfushë dhe Asani, Bajrami dhe Tuci përpara.