Gjykata e Shkodrës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e 25 000 m2 në zonën turistike të Razmës, në rrethin e Shkodrës. Prokuroria kishte nisur një hetim penal në vitin 2016 për sipërfaqen në fjalë, e cila sipas Prokurorisë ishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga disa persona. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu vendosjen nën sekuestro preventive të tokës. Bëhet fjalë për një skemë mashtrimi, për të cilën pritet të procedohen penalisht 14 ish-zyrtarë të lartë.
Zyrtarët e përfshirë në këtë skemë të tjetërsimit të pronave, kanë përdorur një taktikë të ngjashme si me atë në Kavajë, Dhërmi, Himarë, apo Lezhë. Në skemën e manipulimit dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Bëhet fjalë për ish-zyrtarë të pushtetit lokal, të hipotekave dhe komisionerë të kthimit të pronave. Nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, ata e kishin regjistruar tokën pyjore, nën zërin “tokë buqësore”. Sipërfaqja në fjalë ishte tepër e lakmuar për vetë bukuritë natyrore të zonës së Razmës, dhe dyshohet se në të do të ndërtohej.