Gjykata e Lezhës ka lëshuar 23 urdhër arreste që lidhen me abuzimet e pronave tek ‘Rana e Hedhun’. Mësohet se vetëm 8 prej këtyre masave janë ekzekutuar, mes tyre kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj. Kryebashkiaku Frrokaj, përfaqësues i PD-së që u zgjodh në vitin 2015, akuzohet për ‘shpërdorim detyre’, pasi ka dyshime se ka tjetërsuar prona tek ‘Rana e Hedhun’. Gjithashtu, pas hekurave përfunduan edhe nënkryetari i Bashkisë Enver Hafizaj, kreu i Hipotekës Gjelina Bacaj, bashkë me dy juristët Eduard Lekaj e Armando Dakaj.
Mes të tjerash Gjykata vendosi sekuestro preventive për dy prona me sipërfaqe 25.146 m² dhe 13.730 m². KLSH zhvilloi një javë inspektim në bashkinë e Lezhës, ku konstatoi se ishin bërë shkelje të mëdha ligjore. Në hetimin e kreut të bashkisë Lezhë u përfshi dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Deri më tani nuk dihet roli i saktë i kryebashkiakut Frrokaj në çështjen e abuzimit me pronat, ndërsa gjithçka mbetet për t’u përcaktuar në vijim. Në një kohë kur pothuajse të gjithë zyrtarët e bashkisë së Lezhës janë shoqëruar, problem ngelet edhe fakti se kush do ta drejtojë këtë institucion. Bashkia e Lezhës ka dy nënkryetar, ndërsa postin e mban Alfrida Marku, pasi Enver Hafizaj dhe Frrokaj ndodhen në pranga.
PERSONAT E ARRESTUAR:
Fran Frrokaj – Kryetar i Bashkisë Lezhë
Enver Hafizi – Nënkryetar i Bashkisë Lezhë
Gjelina Bacaj – Drejtore e Hipotekës
Eduard Lekaj – Jurist te Hipoteka
Armando Dakaj – Jurist te Hipoteka
Ndërkohë mësohen edhe emrat e personave që përfitua nga skema e abuzimit me tjetërsimin e pronave në ‘Ranën e Hedhun’. Mësohet se përfitues janë; Martin e Ndue Frroku dhe Vasil dhe Pjetër Gjoni, nga fshati Ungrej. /balkanweb.com/