Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një prononcim ka bërë një koment në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Topalli tha se zgjedhjet e 6 Marsit, nuk janë thjeshtë lokale, por do të kenë një influencë në zhvillimet politike të vendit.
Sipas Topallit, së shpejti do të kemi një opozite reale që do konsolidohet si alternativë qeverisëse për zgjedhjet politike.
“Zgjedhjet e 6 marsit nuk janë thjesht lokale. Ata do kenë një influencë kritike në zhvillimet politike të vendit. Nëse gjërat do ecin ashtu siç unë i lexoj së shpejti do kemi një opozite reale që do konsolidohet si alternativë e qeverisëse për zgjedhjet politike.”, tha Topalli.
Sa i takon garës për Bashkinë e Shkodrës, Topalli doli hapur në mbështetje të kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë”, Bardh Spahia, për të cilin tha se ka shans për të drejtuar këtë bashki.
“Bardh Spahia si kandidat i “Shtëpisë së Lirisë” ka shanset për të qënë një Kryetar Bashkie që punon për Shkodrën. Unë e mbështes atë. E njoh si një njeri që shtyhet për njerëzit e në mënyrë të veçantë nëse ata kanë nevojë për ndihmë për shëndetin.
Por mbi të gjitha e mbështes se është përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që janë të zhgënjyer nga Lulzim Basha, njeriu që shiti misionin e opozitarizmit për pasurimin e tij dhe karrigen, që mban me llogarinë 1995=5004!”, theksoi Topalli.
Më tej, ajo i dha edhe një “shuplakë” të fortë Lulzim Bashës, ndërsa theksoi se shkodranët nuk i duan ata që gënjejnë.
“Shkodra është qyteti që ka një raport të fortë me të vërtetën. Me një njeri që vetëm rren dhe mban vulën me policinë e Ramës ata nuk i lidh asgjë. Natyrisht as me kandidatet e Ramës e të shërbëtorit të tij.”-tha Jozefina Topalli. /CNA.al/