Në këtë pjesë të dytë të rrëfimit të Isuf Kalos, ish-mjekut personal të Enver Hoxhës, për herë të parë tregohet se çfarë ndodhte brenda Bllokut edhe për tema tabu si krushqitë dhe deri marrëdhëniet seksuale. Ndër të parat që e shembi një tabu të tillë ka qenë nusja e djalit të vogël të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. Marrëdhëniet e saj me një diplomat francez dhe miqësia e Bashkimit me Ismail Kadarenë…
Një “tronditje” e rregullave dhe e normave skrupuloze për veshjen, sjelljen, paraqitjen dhe imazhin e të rinjve u ndie një ditë brenda Bllokut. Atë e krijoi M., një vajzë e re e sapomartuar me djalin e vogël të Mehmetit. Ajo erdhi me një temperament të zjarrtë në mjedisin elitar të Bllokut, me gardhe e mure paragjykimesh, të dukshëm e të padukshëm. Vajzë vetëm 16 – 17-vjeçare, që rridhte nga një familje e thjeshtë me banim në Durrës, fizikisht tërheqëse, me arsimim të paplotësuar, me dinamizëm rinor dhe gjeste prej adoleshenteje pa komplekse, ajo demonstronte një krenari dhe siguri autentike, sikur gjithçka e pëlqyeshme dhe e dëshiruar prej saj ishte e lejuar dhe e arritshme.
Dukej sikur kishte ardhur nga provinca në atë mjedis të ndaluar për njerëzit e zakonshëm, jo si një e re militante as si “e re shembullore komuniste”, siç trumbetohej në kësi rastesh nga propaganda partiake, por për të shkëlqyer e triumfuar me freskinë dhe hiret e saj ndaj shoqeve dhe banorëve të atyshëm si nuse, si femër dhe mbase edhe me ëndrrën e “Miss Bllokut”. Spontanisht, në kontekstin e adoleshencës disi të përndezur të saj, ose për të sfiduar moralizimin e sertë dhe tabutë erotike e sentimentale të regjimit, e veçanërisht ato brenda Bllokut, ajo guxoi të “paimagjinueshmen”.
Ndërkohë që ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ajo krijoi lidhje, takime e flirte të fshehta në parqe e lokale nate me një të huaj, i quajtur A., punonjës i Ambasadës Franceze në Tiranë. Agjentët e Sigurimit nuk u besonin syve tek i shihnin bashkë, por ishin të detyruar t’iu raportonin shefave “hatanë” që po ndodhte.
Këta të trembur se kjo ndodhi e pabesueshme mund të interpretohej në instancat e larta si gënjeshtër apo shpifje ndaj kryeministrit famëmadh të vendit, preferonin heshtjen dhe e fshehën disa kohë gjithçka si të mos kish ekzistuar. Por “gazeta gojore”, që përhapej gratis me shpejtësi te njerëzit zhurmonte. Një nga komentuesit e fshehtë të asaj kohe e kishte ekzagjeruar duke gjetur element analogjik të sjelljes së M., me atë të Maria Antonetës. Ishte paralelizëm jo i përputhshëm i sjelljes dhe i temperamentit të veçantë të nuses së djalit të kryeministrit tonë me atë të mbretëreshës së fundit franceze, e cila erdhi në fron edhe ajo në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 15 vjeç. Maria Antoneta, përgjatë viteve të para pas martesës deri sa u “poq”, iu përkushtua me pasion sfidave të bukurisë femërore, dëfrimeve, ballove, fustaneve, bizhuve, modës, luksit, kapriçiove e skandaleve erotike. Ajo pati një flirtim pasionant, thuajse të padrojë deri në fund të jetës, me një nga burrat e pashëm të asaj kohe, kontin e pasur suedez, Hans Axel de Fersten.
Një paralelizëm i tillë, natyrisht çalonte, sidomos lidhur me origjinën respektive familjare të tyre. Maria Antoneta lindi princeshë në oborrin mbretëror të Vjenës, bijë e Maria Terezës së Austro-Hungarisë, perandoreshës më të fuqishme e më inteligjente të kohës. Ndryshe nga M., ajo u martua në moshë minorene me princin trashëgimtar të Francës që do të bëhej mbreti Luigj XVI me shkesi, pa ndjenja dashurie prej asnjërit në çift. Madje as u pyet. Ishte martesë me vullnet prindëror për interesa të oborreve mbretërore.
Kurse lidhja e çiftit shqiptar fillimisht nuk kishte asgjë të tillë. Nga një takim që kam pasur me Bashkimin në atë kohë, dukej që ai ishte tërësisht i dashuruar me atë vajzë bukuroshe. Ishte i dominuar dhe i dorëzuar shpirtërisht ndaj saj. Ai dukej Romeo i sinqertë, i vërtetë. Bashkimi njihej atëherë si një prej “juniorëve rebelë” të Bllokut. Ai e adhuronte thellësisht Kadarenë dhe, falë talentit letrar që kishte, ëndërronte, madje kishte filluar që t’i ngjante atij, duke shkruar jo konform formës e stilit letrar që predikohej e dominonte asokohe.
Mbase edhe përzgjedhja e M. si shoqe jete me atë temperament rebel e sfidues, nuk ishte e rastit, por i shkonte për shtat linjës, shijeve dhe parimeve individuale liberale, jokonvencionale të tij. Duke e gjykuar retrospektivisht, në kahun tjetër lidhjen e tyre dhe fundin dramatik të saj, është vështirë ta thuash, se po aq e thellë ishte e dashuruar nga ana e saj edhe M.
E kam takuar atë rrallëherë, por nuk pretendoj se e kam njohur. Fillimisht M. besoj të jetë ndier me shumë fat dhe e lumturuar, si në qiellin e shtatë, për lidhjen me një djalë të tillë, simpatik, i ndjeshëm e romantik nga Blloku, me prindër të famshëm e të fuqishëm, madje dhe ai vetë djalë i talentuar dhe i pasur shpirtërisht. Megjithatë, binin në sy tek ajo shenja narcisizmi, një kurajë befasuese dhe mënyrë komunikimi pa droje.
Ajo ishte e ndërgjegjshme për hiret femërore të saj, çka e bënte të sillej e shpenguar dhe dominuese. Ndërkohë, vështirë të pikasje tek ajo brishtësi, butësi e ndjeshmëri prej Zhuliete. Ngjarjet më pas treguan se ajo ndoshta u vel nga martesa, pasi e pat “konsumuar” atë, ose sepse në rrethanat e reja që iu krijuan pas vetëvrasjes së Mehmetit, rënies së familjes Shehu në fatkeqësi dhe burgosjes së të shoqit, martesa me të iu bë pengesë për mbijetesën e vetë asaj dhe sidomos të dy fëmijëve ende të mitur që kishin bashkë e që duheshin rritur.
E them këtë bazuar në mënyrën pragmatike, por disi të vrazhdë me të cilën ajo u divorcua me të shoqin, me kërkesë të njëanshme të saj. Kërkesa u bë ndërkohë që Bashkimi përjetonte gjendjen e fatkeqësisë pas vetëvrasjes së të atit, duke qenë edhe vetë i prangosur në Burgun e Burrelit. Gjyqi i divorcit të tyre ishte unikal për nga lloji. Ai u zhvillua në mjediset e trishta të burgut. Bashkimi nuk e dëshironte divorcin.
Kur u pyet nga gjykatësi ai tha se “e kishte dashur dhe e dashuronte gjithmonë të shoqen dhe se përveç saj dhe dy fëmijëve që kishin bashkë, nuk kishte të tjerë njerëz të dashur në jetë. E dua M., sepse me të më ka lidhur dashuria dhe vetëm dashuria. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk mendojmë kështu të dy”. “E thënë ndryshe, vijoi ai, unë nuk mund të figuroj formalisht i martuar me një grua që nuk më do më.” M., me sinqeritet apo më shumë e detyruar nga rrethanat, dëshmoi se nuk e donte më. Ajo e palëkundur iu përmbajt kërkesës së depozituar për ndarje me shkrim në gjykatë dhe u largua vrullshëm pas legalizimit të ndarjes, sikur kish frikë se mos pendohej. Iku pa i dhënë dorën të shoqit dhe as të atit, i pranishëm edhe ai aty, por jo miratues i atij divorci. Sidoqoftë askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë vendimin e dhimbshëm, dramatik të saj në dualitetin mizor të zgjedhjes mes burrit, i burgosur politik, me gjasa të kalbej aty për disa dekada, dhe dy fëmijëve të vegjël që prisnin prej saj t’i ushqente dhe t’i rriste e vetme, pa të. E vetmja gjë që mund të thuash është se askush nuk i parashikon dot lodrat e çuditshme e të befta të fatit.
Pragmatizmi i martesave të vetashtuquajtura “me llogari” të djemve e vajzave të popullit me të rinjtë në Bllok u bë fenomen i përhapur. Ai u bë më i dukshëm pas viteve 1965 – 1970 dhe kishte lidhje me imazhin ekzaltues e disi fantazist që kishte Blloku në hamendësimet e qytetarëve jashtë tij. Martesa të tilla u bënë një lloj “gjahu i programuar i djemve buzëqumësht” dhe i vajzave shkollare të çiltra të baballarëve të fuqishëm të Bllokut. E thënë ndryshe, ishte “gjahu i favoreve dhe i influencës”.
Ky u shndërrua në trend pikërisht në ato vite kur u rritën dhe u bënë të shumtë në numër fëmijët e ish-udhëheqësve të luftës dhe të pushtetit të pasçlirimit, me diploma e moshën e përshtatshme për fejesë dhe martesë.
Një rrethanë favorizuese për këtë trend ishte se udhëheqësit tanë, nën vazhdën e direktivës së dikurshme të Kremlinit, i konsideronin të parekomandueshme lidhjet martesore mes fëmijëve brenda Bllokut, me logjikën që të mos shtoheshin më tej lidhjet ekzistuese nepotike mes tyre.
Megjithatë dy nga ish-“rebelet”, Lida Çarçani, vajza e Adil Çarçanit, anëtar i Byrosë politike dhe kryeministër, me Agim Myftiun, djali i Manush Myftiut, edhe ky anëtar i vjetër i Byrosë Politike dhe zv.kryeministër, bënë përjashtim, duke u martuar me njëri-tjetrin.
BLLOK-LAKMIA
Ekzaltimi për Bllokun hasej kryesisht jashtë territorit të tij. Djemtë dhe vajzat e lindura e të rritura aty nga prindër të fuqishëm të elitës udhëheqëse përgjithësisht ishin “fëmijë të mbarë”, korrektë e modestë në shoqëri e mjaft prej tyre edhe të dalluar në mësime. Ata ishin rritur në atë mjedis, së bashku si shokë e shoqe fëmijërie, ose siç thuhet, si motra e vëllezër, por silleshin modestë, miqësorë e pa diskriminim me shokët e shoqet e shkollës, bashkëmoshatarë me ta.
Vajzat adoleshente dhe të reja të Bllokut binin në sy si të ishin një “racë” tjetër, me tipare të ëmbla, lëkurë të freskët. Ato ishin të mirushqyera, me veshje ndryshe, më të hijshme, më të bukura dhe mirësjellje të rafinuar, që reflektonte edukatë dhe kulturë. Teuta Çarçani, Teuta Nesho, Shpresa Ngjela, Mimoza Spahiu dhe Natasha Konica ishin pesë bukuroshe të Bllokut që zakonisht shkonin dhe vinin nga shkolla e shëtisnin bashkë të buzëqeshura, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e kalimtarëve, sidomos të të rinjve beqarë.
Djemtë dhe vajzat “single” të popullit e ëndërronin lidhjen martesore, bashkëshortore të Bllokut si “kulm i fatit” që jo vetëm do u krijonte kushtet maksimale jetësore, por edhe rritje të statusit e të prestigjit shoqëror të atyre e të familjeve respektive. E thënë ndryshe, Blloku perceptohej nga jashtë jo vetëm nga të rinjtë beqarë jashtë atij territori, por edhe nga prindërit dhe të afërmit e tyre si “parajsë apo një lloj oborri mbretëror”, ku atyre po të hynin aty, si nuse apo dhëndurë, do u qeshte fati, do t’u thoshin “lamtumirë halleve” e do të shndërroheshin në “princesha e princër” elegantë, pjesëtarë “të aristokracisë së re”, të pasur, të fuqishëm e të famshëm, me emër të madh.
Trendi i ri i martesave të të rinjve të Bllokut me partnerë “outsiders” (jashtë Bllokut), mbi baza kryesisht pragmatike shtoi dhe nepotizmin si fenomen shoqëror. Edhe pse pas martesës rishtakët e ardhur në Bllok, duke jetuar aty e kuptonin që imazhi “princëror” dhe gama e favoreve që patën ëndërruar qenë të ekzagjeruara e disi utopike, përsëri statusi social i tyre gëzonte jo pak favore e privilegje.
Djemtë e martuar me vajzat e udhëheqësve ngriheshin më shpejt në karrierë dhe emëroheshin shefa, drejtorë, ambasadorë apo diplomatë jashtë shtetit, drejtues në organet ekzekutive apo ato partiake, kurse vajzat e martuara me djemtë e Bllokut, pasi lindnin një a dy fëmijë dhe merrnin frenat e familjes së tyre në dorë, shndërroheshin në “Dama influenciale, autoritare”, të punësuara në poste të rehatshëm të institucioneve dhe të administratës.
Ndonjëra nga “Hirushet” e martuara në Bllok shndërrohej madje në “princeshë” dhe nuk ngjante më me të përvuajturën e përrallës. Ato bëheshin lakmitare, ambicioze e pretencioze për më shumë favore e privilegje dhe e humbnin thjeshtësinë e përunjësinë e tyre të dikurshme. Ato kalonin orë të tëra të ditës e mbrëmjes të ulura këmbë mbi këmbë në kafenenë luksoze të hotel “Dajtit”, e rezervuar për të huajt dhe e ndaluar për qytetarët e thjeshtë.
Brenda pak kohe jetese në Bllok, “Hirushet” ndryshonin rrënjësisht modën, visheshin firmato, modernizonin paraqitjen e jashtme, krehjen, mobilimin, aksesorët muzikorë, tonin e zërit, përdredhjet dhe gjestet, “gjuhën” e trupit, stilin e jetës dhe gamën e kërkesave e të favoreve, madje jo vetëm për vete, por edhe për anëtarët e familjeve të tyre vajzërore.
Në një atmosferë të tillë hedoniste nuk mungonin flirtet dhe “historitë rozë” të fshehta, ndonëse jo aq skandaloze si ato të tipit Ana Karenina, Madamë Bovari apo Ledi Chaterli. Ato nuk shpëtonin pa u pikasur nga rrjeti i informatorëve të Sigurimit, por mbuloheshin me kujdes në mbrojtje të privatësisë familjare të udhëheqjes së lartë dhe realisht nuk krijuan megaskandale. tradicionale të disiplinës familjare. U martua disa vite më pas me një vajzë të mirë, plot integritet dhe vazhduan të dy jetën normale, familjare, qetësisht ashtu siç e kishin predestinin.
Nga favoret dhe privilegjet e Bllokut përfitonin jo rrallë dhe familjarët e të afërmit e dhëndurëve dhe nuseve. Me raste e sipas rrethanave përfitonim edhe ne që ishim me detyra shërbimi e shoqërimi. Ndryshonte dhe mënyra e sjelljes së tyre, dikur modeste, duke u shndërruar në autoritare, sepse nga “askushi” shndërroheshin në “dikushi”.
Në ndonjë rast, dhëndurët dhe nuset e Bllokut, në varësi të postit të lartë të punës që gëzonin, përveç makinës së prindit titullar, pajiseshin edhe ata me makinë zyrtare e shofer në dispozicion, me kuzhinier, me punëtore (shërbyese) për punët e shtëpisë dhe kujdestare për fëmijët. Të gjitha të paguara nga shteti. Ata shkonin më lehtësisht jashtë vendit, pushonin në vila qeveritare dhe në tërësi përfitonin favore, çka shumica e të rinjve të lindur e të rritur në Bllok rrallë i patën gëzuar.
Natyrisht, fjala ishte për një trend, por nuk ndodhte patjetër kështu me të gjitha çiftet e reja në Bllok. Kishte prej tyre që, përkundrazi, shquheshin për korrektesë pa abuzuar. Ndikonte origjina familjare, integriteti individual, shkalla e kulturës dhe e qytetarisë të secilit. Të tillë dhëndurë me talent, që sollën vlera e merita profesionale, kulturore dhe njerëzore në Bllok ishin Virgjil Kule, Klement Kolaneci, Agron Lufi, Shkëlqim Bumçi, Nasho Bakalli, bashkëshortët e pesë vajzave të Haxhi Lleshit etj. Nuk munguan as vajzat me vlera personale edukative që erdhën nuse në Bllok dhe u sollën aty korrekte dhe me mjaft dinjitet, si Fatbardha Shehu (Shyti), Sonila Kapo, Fioralba Marko, Dhurata Hazbiu, Zana Balluku etj.
Trajtimi i diferencuar i udhëheqësve të Bllokut ishte i mirëqartësuar zyrtarisht në norma të ligjëruara. Ato thoshin se kujt i përkisnin favoret, shërbimet dhe përfitimet dhe cilëve jo. Fëmijët që kishin arritur moshë madhore, kishin mbaruar studimet dhe kishin filluar punën, duhej të largoheshin nga prindërit dhe nga Blloku e të fillonin jetën e pavarur. Aq më tepër nëse kishin lidhur martesë dhe kishin krijuar familjen e tyre. Mirëpo, vetëm disa, kryesisht vajzat dhe rrallë ndonjëri prej djemve të martuar, e zbatuan këtë normë. /Marrë nga libri i Isuf KALO/