Qeveria shqiptare ka shpallur 5 marsin (e diel) ditë zie kombëtare pas tragjedisë me 57 viktima në Greqi për shkak të përplasjes së dy trenave.
Flamuri ynë kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë në institucionet e vendit. Këtë e ka bërë të ditur kreu i qeverisë, Edi Rama përmes një postimi në Facebook.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Larisës në Greqi ku dy trena u përplasën “kokë më kokë” me njëri-tjetrin. Si pasojë kanë humbur jetën të paktën 57 persona ndërsa janë plagosur dhjetra të tjerë.
Postimi i Edi Ramës:
Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.
Ditën e dielë Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtize.