Arjan Tase lihet në burg! Ai mbërriti rreth orës 10:20 në ambientet e Gjykatës së Vlorës e cila kishte caktuar ditën e sotme më 5 gusht, seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Himarës.
Seanca drejtohej nga gjyqtarja, Viola Canaj ndërsa prokurore e çështjes është Eranda Lazaj. Raportohet se Arjan Tase sot në gjykatë ku doli për vlerësimin e masës së sigurisë u ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të vogëlushes 7-vjeçare Jonada Avdia.
Mësohet se Tase ka kërkuar edhe falje ndaj Policisë së Shtetit për veprimin e tij që solli vdekjen e të miturës. Bëhet me dije se ish- shefi i policisë nuk e ka kundërshtuar vendimin e marrë sot nga gjykata dhe akuzën ndaj tij.
Tase akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.
Për Arjan Tasen, deri më tani është bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e ka klasifikuar ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg. Por burime pranë Prokurorisë së Vlorës, e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet, shprehen se në varësi të dëshmive, dinamikës së ngjarjes, si dhe, natyrisht, dëshmive të personave prezentë në vendngjarje dhe të vetë drejtuesit të gomones, Tase, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndryshimit të akuzës.
Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit që ish-punonjësi i Policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7- vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.
Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit po analizojnë edhe ngritjen e akuzës për vrasje me dashje në mënyrë indirekte. Gjithsesi, seanca e sotme pritet të qartësojë akuzën zyrtare për momentin ku ndodhën hetimet.