Një shqiptare është aksidentuar për vdekje nga një automjet në SHBA. New York Post bën me dije se Paulina Ndrecaj, 59-vjeç u godit nga një automjet para një ndërtese.
Makina e përplasi atë në një gardh metalik duke i shkaktuar plagë të rënda. Nëna e tre fëmijëve ishte nisur për të marrë pica për fëmijët e saj.
Ajo u dërgua në spitalin Jacobi ku ndërroi jetë pasi iu nënshtrua një operacion, tha vajza e saj Diana Ndrecaj 32-vjeç. “Ajo ishte një grua e mirë, e ëmbël. Nuk e meritonte këtë. Kur ndodhi aksidenti ajo ishte katër hapa larg shtëpisë së saj”, Tha Diana.
Ndrecaj tha se babai i saj ishte në banesë në momentin kur ndodhi aksidenti dhe doli në rrugë menjëherë sapo dëgjoi përplasjen. “Ai zbriti poshtë dhe ishte një zotëri në ndërtesë që mbante nënën time derisa erdhi ambulanca”, deklaroi e bija e viktimës.
Fran Ndrecaj, 71-vjeç tha se e ndjeu menjëherë që gruaja e tij prej 40 vitesh nuk do ia dilte. “Ajo e kishte humbur vetëdijen. Po i rridhte shumë gjak nga goja dhe hunda. Për mua ajo ishte një njeri i madh. Ajo ishte perfekte”, u shpreh ai.
59-vjeçarja shqiptare kishte festuar së fundmi ditëlindjen e saj. Sall Arobye, 32 vjeç, një shofer Uber që jeton matanë rrugës, e ndihmoi Nrecaj të dilte nga gardhi pas aksidentit dhe e siguroi se do të ishte mirë.
“Ajo tha ‘A mendon se ia dola?’ Unë i thashë ‘Po, mund t’ia dalësh. Qëndroni e fortë’. ‘Është e tmerrshme. Më duket sikur e kam gënjyer. Ajo nuk ia doli. Më theu zemrën”.
Jashtë ndërtesës, miqtë dhe familja ndezën qirinj dhe vendosën lule në një memorial të improvizuar të shtunën.
“Kjo nuk duhet t’i ndodhte askujt, por na ndodhi neve. Shpresoj që kjo të mos i ndodhë më askujt”, tha një anëtar i familjes.