Ecuria dhe puna që ka bërë me Vllazninë në sezonin e fundit, ka bërë që për trajnerin Tomas Brdariç të ketë lumë ofertash, si nga tregu shqiptar, nga rajoni, ashtu dhe nga vende të ndryshme europiane. Pak ditë më parë u përfol se Tirana e ka kontaktuar trajnerin gjermanokroat, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive ka mësuar disa nga ofertat dhe interesimet nga klube të ndryshme për Brdariçin. Gazeta mëson se ofertën më konkrete, trajneri i Vllazninë e ka marrë nga klubi kosovar i Ballkanit. Rreth 80 mijë euro në sezon, mësohet se është shuma që i ka ofruar presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, trajnerit Brdariç.
Gjithashtu, interesim për trajnerin e Vllazninë thuhet se ka edhe nga Polonia, ku në lojë është klubi i Jagellonias, si dhe Zvicra ku flitet se pëlqehet nga Grasshopers. Sa i përket së ardhmes, pritet që fillimisht Brdariç të flasë me Vllazninë, por shuma që ka marrë nga Ballkani duket joshëse.