Policia e Krujës ka vënë në pranga një person, dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij pasi u kap duke transportuar drogë për në Tiranë.
Operacion antidrogë i koduar “Cudhi” përfundoi me sukses me arrestimin e Nuri Hysajt, 28 vjeç, banues në fshatin Cudhi, Krujë dhe sekuestrimin e 46.5 kg marijuanë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte lëndë narkotike nga Kruja për në Tiranë, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin antidrogë të koduar “Cudhi”. /balkanweb/