Në ditët e fundit kemi ndjekur disa aksione të inspektoriateve për mbrojtjen e territorit (kombëtar dhe vendor), si dhe të Policisë të Shtetit në territorin që mbulon Bashkia e Shkodrës, në lidhje me procedimin e disa subjekteve që kanë ndërtuar pa lejen e autoriteve kompetente shtetërore.
Në pamje të parë duket një ogur shumë i mirë që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve që ekzistojnë dhe paguhen nga taksapaguesit pikërisht me qëllimin që të sigurojnë respektimin e normave, standardeve, kushteve zhvillimore dhe legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit në të gjithë vendin, si dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme. Nga ana tjetër shohim se ka aludime dhe reagime publike, deri në protesta, për ndërhyrje selektive vetëm për disa raste të izoluara që më së paku, mund të jetë thjeshtë propoganda e rradhës ose edhe më keq të jenë diskriminuese dhe që funksionojnë vetëm për disa shtetas të veçantë apo për disa zona dhe krahina të caktuara dhe jo për të gjithë kundravajtësit dhe jo në të gjithë territorin juridiksional.
Analizën mund ta bëjë lehtësisht çdo qytetar, po ashtu edhe vetë këto organe duke ballafaquar veprimet dhe mosveprimet e tyre me respektimin e tre parimeve themelore kushtetuese që i përkasin një shteti ligjor dhe që janë konsoliduar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përkatësisht:
Parimi i mosdiskriminimit
Ky parim kërkon që të gjitha subjektet të trajtohen në mënyrë të njëjtë. Nuk mund të bëhen trajtime të diferencuara kur individët e grupet që ndodhen në kushte të njëjta, apo kur ka justifikim të arsyeshëm e objektiv, duke vendosur një raport të arsyeshëm dhe përpjesëtimor midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet. (Shembull: Duhet trajtuar me të njëjtën qasje me ligjin si ai që ndërton në mënyrë të kundraligjshme në qytet, Shirokë, Zogaj me atë në Velipojë, Razëm apo Theth).
Parimi i sigurisë juridike
Rregullimet ligjore dhe ndërhyrjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Parimi i sigurisë juridike nuk shfaqet asnjëherë si i tillë në vetvete, por shoqërohet me mbrojtjen e të drejtave të fituara, vazhdimësinë ligjore, ndalimin e ligjeve me fuqi prapavepruese, qartësinë dhe përcaktueshmërinë në normimin e marrëdhënieve juridike, respektimin e pritshmërive legjitime etj., (Pikësëpari, duhet mundësuar që subjektet kur plotësojnë kriteret, të pajisen me leje nëpërmjet procedurave korrekte dhe transparente ligjore. Së dyti, nuk duhen lejuar që punimet e kundraligjshme të ndërtimit të zhvillohen për muaj dhe vite me rradhë, e më pas institucionet të kujtohen vetëm kur kanë përfunduar dhe kanë krijuar pritshmëritë që të fillojnë t’i marrin frytet investimit).
Parimi i proporcionalitetit
Çdo veprim administrativ, i cili, për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të tjerëve, mund të kufizojë një të drejtë individuale, ose mund të cenojë interesa legjitimë, duhet të zhvillohet në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Veprimi administrativ është në përputhje me parimin e proporcionalitetit vetëm kur ky veprim është:
– I nevojshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar me ligj dhe e arrin atë me mjetet dhe masat që cenojnë më pak të drejtat apo interesat legjitimë të palës; (Shembull: masat duhet të jenë preventivuese, kapja në kohë e ndërhyrjes së kundraligjshme të ndërtimit, pasi qëllimi i ligjit plotësohet më mirë dhe ka shumë më pak kosto për ndërtuesin dhe institucionet).
– I përshtatshëm për të arritur qëllimin e parashikuar në ligj; (Sigurojë respektimin e normave, standardeve, kushteve zhvillimore dhe legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe mbrojtjen nga ndërtimet e kundërligjshme).
– Në përpjesëtim të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë. (Prishjet e objekteve, gjobat e rënda dhe procedimet penale të funksionojnë vetëm në rastet kur ka qenë objektivisht e pamundur që të ndërmerren masa parandaluese që objekti ndërtimor i kundraligjshëm të mos fillojë dhe nëse ka filluar të mos vazhdojë). /Nga Florian BJANKU, këshilltar i Bashkisë Shkodër, publikuar në Facebook/