Esat Mala ishte një ndër futbollistët më të spikatur në duelin që Vllaznia, triumfoi 1-2 ndaj Teutës. Mesfushori shënoi golin e parë të sfidës, teksa asistoi te goli i dytë i shënuar nga Balaj. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, futbollisti i skuadrës shkodrane deklaroi:
“Ishte një ndeshje mjaft e mirë, sidomos pjesa e parë, nuk i lamë hapësira kundërshtarit. Në pjesën e dytë pati një përgjumje, goli ishte si dush i ftohtë. Doli në pah edhe karakteri. Luftuam deri në fund, vlejti kjo fitore shumë, si të ishin 6 pikë. Ia vlejti shumë.
Duhet ta kishim luajtur njësoj edhe pjesën e dytë, kur barazoi Teuta, nuk u mbyllëm, tentuam dhe në fund na u shpërblye 3 pikshi.
Në fund kishim me vete edhe fatin. Me një rast mund të ndërronte komplet fytyra e ndeshjes. Shtytja në fund na dha shpërblimin, ndaj them që e merituam, se besuam deri në fund.
Ishte një mungesë përqendrimi në pjesën e dytë, ramë në qetësi. Nuk funksionuan pasat dhe humbi sensi i lojës. Me shënimin e golit të Teutës, u kthjelluam pak, dhe filluam të merrnim më shumë përsipër.
Jam mirë te ky pozicion, jam përshtatur. E kam gjetur stabilitetin, ky është pozicioni im natyral.
Duhet t’i marrim ndeshje pas ndeshje. Vjet u morëm shumë me fjalën kampion. Kur të kapim “Final 4”, atëherë do të vendosim. Është kampionat shumë i gjatë, nuk është koha për të folur për titullin”, u shpreh Mala për emisionin “Super Gol” në RTSH.