Në fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Donald Trump është shprehur me paralajmërime të hapura për një shkatërrim të plotë të Koresë së Veriut nëse regjimi komunist i Kim Jong Un-it kërcënon Shtetet e Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për ta shkatërruar plotësisht Korenë e Veriut, nëse nuk ka rrugëdalje tjetër për të mbrojtur veten dhe aleatët. Shtetet e Bashkuara kanë fuqi dhe durim të pamatë, por do të veprojnë nëse nuk kanë rrugëdalje tjetër. Kim Jong Un është në një mision vetëvrasës”.
Presidenti Trump u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare në OKB-së që të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit. “Ka ardhur koha që Koreja e Veriut të kuptojë se çarmatimi bërthamor është e vetmja rrugë drejt së ardhmes”, tha zoti Trump. Në fjalimin e tij, presidenti i Shteteve të Bashkuara foli edhe për regjimin iranian që e akuzoi se po mban peng të ambicieve të tij bërthamore një komb me një histori të gjatë e të shquar. Presidenti përsëriti synimet e tij për të anuluar marrëveshjen bërthamore me Iranian të arritur gjatë administratës Obama.