“Turbo Show” është spektakli i rradhës i aktor- regjisor- producent Sandër Ruçi, Mjeshtër i Madh. Spektakli është në hapat e fundit të përgatitjeve, ndërsa me 19 shtator do të ketë edhe Premierën. Në një konferencë për mediat Sandër Ruçi ka zbuluar vetëm pak gjëra, duke e lënë gjithçka në vlerësimin e spektatorit në sallën e Teatrit “Migjeni”. Ashtu siç është në stilin tashmë të njohur të Ruçit, humori i tij të bën të qeshësh por edhe të reflektosh. Para gazetarëve Mjeshtri i Madh ka thënë se materialet janë përgatitur me kujdes dhe trajtojnë tema të aktualitetit, të jetës së përditshme, por edhe fenomeneve e ngjarjeve që të gjithë i kemi perjetuar. Rrugëtimi drejt Europës, LGBTI dhe perceptimi i tyre nga shoqëria, rënia e Vllaznisë nga Superliga, janë vetëm disa nga materialet e kësaj shfaqje. Po ashtu, pjesë e rëndësishme e tij, do të jenë edhe shtrirja në kohë e skeçeve të famshme që sot e kësaj dite sjellin buzëqeshje pa fund sa herë i shikojmë.
Sandër Ruçi ka folur me dashamirësi për të gjithë ata që i kanë “dhënë një dorë” në përgatitjen e kësaj varieteje. E ka nisur me Bashkinë e Shkodrës, e cila i ka ofruar sallën e “Migjenit” jo vetëm për netët e shfaqjes por edhe provat e saj. Një falenderim edhe për mediat e Shkodrës, të cilat i janë gjendur sa herë ka patur nevojë për to. Natyrisht, janë edhe dashamirës të artit, bisnesmenë të cilët e kanë ndihmuar të suportjë peshën jo të lehtë të orgaizimit të një shfaqjeje të tillë. E në fund, Sandër Ruçi tregon se deri tani, kanë mbetur vetëm 17 bileta pa u shitur për shfaqjen, e të cilat deri në orën e shfaqjes me 19 shtator, do “të fluturojnë” të gjitha në duart e spektatorëve. Madje, ndërsa flet me gazatarët i bie celulari dhe i kërkojnë…5 bileta.
Siç është në natyrën e tij, Sandër Ruçi hedh edhe “dorashkën e sfidës”: Në 1 vit e gjysëm mund të ngrej në këmbë një variete moderne! Ata që e njohin, e dinë se Mjeshtri i Madh mund të arrijë shumçka, falë jo vetëm talentit por edhe punës së tij këmbëngulëse. Duke iu kthyer profesionit të tij të vjetër, Ruçi përcjell edhe një tjetër mesazh aktual: Banakieri pa klientë, nuk ka çfarë të bëjë. Por mua spektatori më ka dashur dhe më do akoma, përfundon Ruçi që fton të gjithë të pranishmit për një foto- kujtim.
Ne dimë disa detaje, që “i’a kemi vjedhur” Sandrit në tavolina me miq. Siç dimë se edhe skenografia, me efektet e saj të ndërtura me shumë kujdes, do të jenë një pikë e fortët e spektaklit. Por nuk po i dekonspirojmë, sespe edhe po të duam të përshkruajmë, nuk i’a dalim dot vetëm me fjalët tona. Prandaj duhet ti shijoni, nëse keni fatin të gjeni akoma bileta…
Në kapërcyell të një viti nga spektakli i fundit, Sandër Ruçi kthehet me një tjetër “Turbo Show” në Shkodrën e tij. E mbyll me një batutë, duke përmendur legjendën e Rozafës, por edhe “nënën e fëmijëve” që jeton në SHBA, por që ka ardhur të bëjë “tifozllëk” për të me 19- 20 shtator në teatrin “Migjeni”: Do ta ndaj kohën 50 me 50 në mes Amerikës dhe Shkodrës… Ky është Sandër Ruçi! /ShkodraWeb/