Dosja.al sjell një kopje nga biseda e transkriptuar e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano me të akuzuarin kryesor nga familjarët e viktimave të 2 prillit 1991, Gramoz Ruçi. Në një bisedë mes tyre, Ruçi ka sqaruar Nanon për situatën e krijuar në Shkodër në mitingun e 2 prillit 1991, ku sipas tij, turma është ekzaltuar nga prania e deputetit demokrat Azem Hajdari. Para dy ditëve janë shënuar plot 28 vite nga kjo masakër ku humbën jetën 4 qytetarë të Shkodrës. Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, janë sot Dëshmorë të Demokracisë. Familjarët deri më sot kërkojnë përgjegjësit për vrasjet dhe gishtin e përgjegjësisë e vënë tek Gramoz Ruçi.
Biseda mes Gramoz Rucit dhe Fatos Nanos
Fatos Nano: Më fal, ky ishte grumbullim spontan apo i organizuar?
Gramoz Ruçi: Po, fillimisht spontan.
Fatos Nano: Ju s’kini të dhënë se kush e organizoi grumbullimin me këta njerëz?
Gramoz Ruçi: Jo pra, do të them ndonjë gjë më poshtë
Fatos Nano: Jo, t’i marrim gjërat me radhë, sistematikisht
Gramoz Ruçi: Qysh në momentin e parë, atje shkon shefi i Policisë së rrethit, shoku Fatos dhe bisedon me drejtuesit e Partisë Demokratike, se ishte llafi që ishin para selisë së Partisë Demokratike, dhe dolën ata kësaj turme, se vajti që kur ishte 800 vetë, jo kur u bë 20 mijë veë dhe u thonë që të parandalonin akte të tilla se janë të kundraligjshme. Kuptohet se aty ndodhej edhe deputeti që ishte zgjedhur në Tiranë, Azem Hajdari, i cili e mori përsipër që do t’a zgjidhte këtë problem do të qetësonte turmën.
Fatos Nano: Me kë e mori përsipër, e mori përsipër me Shefin e Policisë?
Gramoz Ruçi: Me shefin e Policisë, pra tek Partia Demokratike, aty ku vajti shefi i Policisë dhe e mori përsipër.
Fatos Nano: Ky fakt verifikohet, dëshmohet?
Gramoz Ruçi: Dëshmohet midis atyre të dyve
Fatos Nano: Midis atyre të dyve pra
Gramoz Ruçi: Midis atyre të dyve dëshmohet shefi i Policisë, pëfaqësuesi i Partisë Demokatike të Shkodrës, dhe deputeti Azem Hajdari. Ky është një grumbullim i jashtëligjshëm, se janë 200 vetë, të shpërndahen njerëzit, mirë do t’i shpërndaj unë, doli ai u foli, duke u folur ai, filloi “Azem, ti je bota, Azem ti je bota,” etj. Në ktë kohë largohet Azemi, mirëpo Azemi u largua, njerëzit u grumbulluan më tej, jo vetëm që nuk u qetësuan, por kështu që Azemi u largua bashkë, shkon dhe merr disa deputetë të tjerë, që janë zgjedhur nga qyteti i Shkodrës, nga simpatizantët e PD dhe mitingu prej 200 vetësh u kthye në një miting masiv të njerëzve atje. Brohoritjet dhe thirrjet vazhdonin, për fitoren që arriti Partia Demokratike në këtë qytet, me shprehjet “liri-demokraci”, “PPSH të japë dorëheqjen nga qeveria”, “Shkodra të shpallet Republikë”, “Poshtë komunistët”, “Poshtë ky, poshtë ai”, personalitete të ndryshme politike në vend. Vazhdoi grumbullimi pastaj nga partia Demokratike pranë komitetit të Partisë së rrethit të punës.
Fatos Nano: Si nga Partia Demokratike?
Gramoz Ruçi: Nga selia e Partisë Demokratike vazhdoi lëvizja drejt selisë së Partisë së Punës.
Fatos Nano: Edhe kjo spontanisht, kjo turmë u drejtua andej?
Masakra e 2 prillit 1991 ka ndodhur në Shkodër, pas zhvillimit të zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Regjimi dictatorial ende po qëndronte në këmbë, ndërkohë që para godinës së Komitetit Qendror në Shkodër gjatë përplasjeve me policinë u vranë 4 të rinjtë.