Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelitë e paraburgimit këngëtarin e njohur Aleksandër Gjoka. Ai u arrestua mbrëmjen e së premtes pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Këngëtari i mirënjohur në vitet ’90, ka shfaqur disa herë probleme me alkoolin.
Gjoka është përfshirë në një aksident mbrëmjen e të premtes tek Komuna e Parisit, i cili u bë shkak për arrestimin e tij. Mësohet se këngëtari përfundoi në spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore ku edhe ruhej nga policia, për shkak se i është komunikuar masa e arrestit.
Burimet thanë se makina e këngëtarit, i cili ishte i dehur në timon, ka dalë nga rruga dhe Gjoka është plagosur lehtë.
Policia nuk dha detaje mbi rastin, në njoftimin e saj për mediat, ku shkruante shumë shkurt se “Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :R. P., A. Sh., B. M., E. Z., dhe A. Gj., pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur”.
Mirëpo kjo nuk është hera e parë që Aleksandër Gjoka futet në telashe me policinë. Këngëtari u arrestua edhe më 23 dhjetor të vitit 2019 pasi edhe asokohe u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
“Arrestimi i tij u bë pasi më datën 23.12.2019, rreth orës 00.15, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4 në rrugën “Sotir Caci” duke drejtuar mjetin veturë, tip ‘Chevrolet”.
Pas testimit me aparat “Drager”, nga shërbimet e Policisë Rrugore rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l”, thoshte policia në njoftimin e para dy viteve.