Prej javësh po përflitej për një ndarje mes Elia Zaharias dhe Princ Lekës. Çifti, i cili cilësohej ndër më jetëgjatët, duket se i ka dhënë fund martesës së tyre. Mësohet se Elia Zaharia dhe Princ Leka kanë nisur procedurat e divorcit zyrtarisht. Ndërkohë Revista NewsBomb ka mësuar se për vajzën e tyre Geraldina, do të vijojnë të kujdesen në mënyrë të barabartë.
Si Elia po ashtu dhe Princi kanë kërkuar që asnjë rutinë e saj të mos cënohet dhe mos e ndjejë aspak divorcin e prindërve të saj. Por divorci nuk do të privojë Elia Zaharian nga trashëgimia pronësore e Familjes Zogu, pasi ajo do të marrë pjesën e saj. Nga ato që kemi mundur të mësojmë është se problemet mes çiftit, kanë nisur që para verës të këtij viti. Si Elia, ashtu edhe Princ Leka, muajt e fundit janë takuar vetëm për hir të Geraldinës, duke bërë rolin e prindit, dhe jo më të dy bashkëshortëve.
Bëhet me dije se edhe pushimet e verës, dyshja i ka kaluar në konflikt e sipër, ndryshe nga verat e shkuara që jo vetëm që kanë realizuar disa udhëtime, por edhe kanë pozuar në rrjetet e tyre sociale të dy apo të tre së bashku.
Dyshja ka nisur problemet e para rreth 6 muaj më parë dhe ka vendosur që gjithçka ta mbajë sa më diskret, duke preferuar që mos të përfshijë në këtë konflikt të tyren familjarë apo miqtë.
Shumë nga miqtë e Elias, nuk e dinin për këtë histori që po shkonte drejt një ndarjeje. Edhe sot, që dyshja pritet ti japë fund martesës ligjërisht, prapë miqtë e afërt të tyre pak dinë rreth arsyeve që i çuan drejt divorcit.
Ndërkohë Elia nuk jeton më në shtëpinë e Lekës, ku prej shumë vitesh kanë jetuar së bashku. Ishte thuajse e pashmangshme që teksa kaloje në rrugën e Pedonales, mos të ndesheshe me vogëlushen Geraldinë, nën shoqërinë e dy gjyshërve të saj.
Por prej disa javësh tashmë, Geraldina nuk është më në shtëpinë e babait të saj, ku herë pas here rikthehet për të qëndruar edhe me Princ Lekën.
Sa i përket Lekës, ai ka vendosur që mos të reagojë deri më tani, duke vijuar me detyrat e tij, pa përmendur për asnjë moment divorcin me bashkëshorten e tij.
Megjithatë, duket se gjithçka do të bëhet me marrëveshje. Ku ndonëse çifti është ndarë pas disa konfliktesh të vazhdueshme, kanë vendosur që tani e tutje të kenë një raport të mirë si prindër të Geraldinës dhe ndarja mes tyre të bëhet në mënyrë paqësore, si një familjeje mbretërore i ka hije.
Elia dhe Leka janë treguar gjithmonë diskret sa i përket detajeve të historisë së tyre të dashurisë 15 vjeçare, duke folur shumë rrallë.
Por ka qenë i vëllai i Elias, Amos që ka zbuluar kohë më parë, disa detaje nga takimi i tyre. Aktori rrëfeu takimin e parë të motrës së tij me Princ Lekën, ku theksoi se që në momentin e parë ka vënë re një tërheqje mes tyre ndërsa nuk i kurseu as batutat.
“Unë në fakt kam qenë prezent në takimin e parë që Elia ka patur me Princin dhe që në atë moment e kuptova që seç ka diçka midis këtyre, është ai shikimi që unë nuk di ta shpjegoj, por është një shikim ku shihen dy njerëz që tërhiqen me njëri-tjetrin dhe kjo ishte ajo që ndodhi.
Dhe unë duke i parë dhe duke u larguar avash avash, se po i lija terrenin hapur Elias dhe… bëj shaka patjetër. Por është një gjë që lindi aty për aty”, u shpreh aktori. Leka II kurorëzoi dashurinë me Elia Zaharinë në një ceremoni luksoze.
Dy të rinjtë u fejuan në Paris në vitin 2010, por nisën të planifikonin ditën e madhe vetëm pak muaj para ceremonisë. Në dasmë morën pjesë rreth 20 familje mbretërore nga e gjitha bota, përfshirë dhe Princin Michael të Kentit – kushëririn e parë të Mbretëreshës së Britanisë, Elisabeta II.
Princesha Lea e Belgjikës dhe Mbretëresha Sofia e Spanjës gjithashtu ishin të pranishme në ceremoninë e organizuar në Tiranë. Nga kjo martesë ato janë bërë prindër të Geraldinës, e cila ka trashëguar emrin e Mbretëreshës shqiptare.