Janë liruar ditën e sotme 8 tifozët që u arrestuan pas përleshjes në ndeshjen Vllaznia-Tirana.
Gjykata caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, ku pas ndeshjes, kanë qenë mbështetësit e Vllaznisë që kanë sulmuar tifozët e Tiranës në zonën e Repsit.
Një prej lojtarëve të Shkodrës pasi zbriti nga autobusi, filloi duke ofenduar mbështetësit e skuadrës kryeqytetase. Më pas, situata u acarua, duke kaluar në gjuajtjen e sendeve të forta dhe përleshja mes palëve u bë e pashmangshme, teksa mbetën të plagosur 4 tifozë që përfunduan në spital.