Entjan (Eno) Nikulaj, kushëriri i Ardian Nikulaj, të cilit iu bë atentat mbrëmjen e kësaj të shtune (2 dhjetor) në Lezhë, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve duke ndërruar jetë në spital.
Nikulaj u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa po lëvizte me makinën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në zonën e quajtur “Ura e Trenit”. Në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja plumbash.
Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë tre, janë larguar nga vendngjarja me një mjet tip “BMW” me targa të vjedhura në Tiranë. Pas ngjarjes, një mjet është gjetur i djegur në afërsi të aeroportit të Rinasit, dhe paraprakisht dyshohet se u përket autorëve.
Për këtë ngjarje, policia njofton se, është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi E. N., ju informojmë se:
Ky shtetas, si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekësor, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Lezhës’ thuhet në informacionin shtesë të policisë së Lezhës.