Në vitin 2011 një vajzë e re nga Tropoja u qëllua me çadër nga protestues të PS, pasi në momentin që ka kaluar pranë tyre, ajo ngriti dy gishtat dhe thirri me zë të lartë emrin e Sali Berishës.
Për Bekime Rexhën u fol shumë asokohe dhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha e vizitoi për ditëlindje, por çfarë bëhet sot me Bekimen?
Sot Rexha është gardiane e burgut 302, si për ironi të fati aty ku ndodhe ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia.
Adrian Thano për gazetën “Dita” sot ka shkruar:
“Bekime Rexha ishte 18 vjeç kur ndodhën vrasjet shtetërore të 21 janarit. 4 njerëz u ekzekutuan nga snajperat e Gardës, shumë të tjerë u plagosën, me dhjetëra u rrahën dhe u torturuan në komisariatet e policisë. Por vrasësit i duhej paradoksi i tij i zakonshëm.
Tregojnë që një nga protestuesit tek kthehej nga sheshi i vrasjeve, na e ngacmoi Bekimen, një kalimtare e rastësishme diku në rrugën e Durrësit.
E fyeu rëndë Bekimen duke i tundur çadrën thonë, apo e goditi me çadër, ç’rëndësi ka.
Kryeministri që urdhëroi ekzekutimet, zhduku provat, pengoi hetimin dhe arrestimin e gardistëve, përgjegjësi kryesor për atë lumë gjaku tronditës dhe të paharrueshëm, gënjeshtari i pashoq i atij janari e më pas denoncuesi publik i vetes në vitet në vijim, zgjodhi Bekimen për ta prezantuar në mediat e regjimit si “viktimën e 21 janarit”.
Fjalët e Sali Berishës të shkëputura nga një kronikë e Tv Klan e 30 janarit 2011:
“Erdha këtu të ndaj me ju gëzimin e datëlindjes së Bekimes.. Erdha, jo vetëm në emër të familjes sime, por para së gjithash në emër të të gjithë bashkëmoshatarëve të Bekimes, të cilët aktin barbar, dhunën ndaj bashkëshollares së tyre, e kanë përjetuar si një dhunë ndaj tyre… Të gjithë më kanë kërkuar që qeveria të bëj gjithçka për gjetjen e autorit dhe vendosjen e tij para ligjit. Ata që qëllojnë dhe godasin mbi fëmijët tanë të bekuar do të marrin ndëshkimin e merituar …” (!!)”
I akuzuari bën akuzuesin, vrasësi gjëmon si viktimë. Absurdi tipik berishian që të le pa frymë nga marazi.
Vonesën e ndëshkimit për të, apo sjelljen e mediave puthadore vrasësish, e kemi trajtuar dhe ritrajtuar në Dita. Ky shënim vijon një tjetër histori; atë që mediat e pafytyra nuk e rrëfyen: çfarë ndodhi më pas me Bekimen, përvec dukjeve të asaj kohe në ekrane dhe dhuratave të çiftit Sali e Liri Berisha.
Bekimja i kërkoi vrasësit punë. Këtë nuk e raportoi askush, por Bekimja sapo mbushi 18 vjeç dhe mbaroi gjimnazin u punësua si … police burgu. Dhe besojeni ose jo, është ende sot police burgu. Madje nga më të përkedhelurat. E kanë lëvizur nga njëri burg në tjetrin në vendet që kërkon vetë, gjithmonë nën kujdesin e drejtuesve, paçka se ikën “ata të Saliut” pastaj edhe “ata të LSI” dhe erdhën “këta të Rilindjes”. Së fundmi thonë se për Bekimen ka treguar sensibilitet të lartë vetë drejtori i ri i sapoemëruar i policisë së burgjeve.
Aktualisht Bekimja është në burgun 302. Burgu ku është dërguar edhe Izet Haxhia.
Nuk ia çon Bekimja supën Izetit, por simbolika është vërtet interesante: Bekimja e 21 janarit kujdeset për denoncuesin kryesor të vrasësit të pandëshkuar të 21 janarit.
Bekimja ndoshta nuk do ta lexoj kurrë këtë shënim të shkurtër që në fakt nuk është për të. Edhe nëse do ta lexoj nuk do kuptojë asgjë.
E ka të vështirë Bekimja të ndjejë zemërim dhe unë e kuptoj pse; nuk e ka problem Bekimja të jetojë në këtë kënetë morale; padija e mbron më së miri.
Por nëse dikush ia çon këtë gazetë Bekimes, rreshtat e mëposhtëm, ndonëse duken të vrazhdë, janë për të:
Ai që dje vrau dhe sot është i lirë dhe i pandëshkuar, nesër për arsye të ndryshme dhe në rrethana të tjera, do të ta bëjë edhe ty, apo mua atë “nder”. Madje edhe këtyre “të Rilindjes” që sot të fërkojnë ty kokën në emër të tij.
Gërdalla që merret me politikën prej 49 vitesh, 22 vjet si komunist me maskë dhe 27 vjet si antikomunist fals, përfaqëson sot të keqen që po përjetësohet.
Duke na bërë të gjithëve (siç na ka bërë) bashkëfajtorë.
Bashkëfajtorë nga pamundësia jonë për ta ndëshkuar: nga përkrahja e verbër e njerëzve si ty, por veçanërisht nga përkrahja e atyre që të kanë lenë ty në errësirë; atyre që dinë dhe kuptojnë shumë më tepër se ty, por që prej kohësh ia kanë shitur shpirtin djallit.”.