Shkruan në Facebook Enton Abilekaj, gazetar: Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, sot për herë të parë që nga krijimi i saj, ka njoftuar nisjen e procedurave për zëvendësimin e një ambasadoreje. Jo ambasadoreje të Shqipërisë që ka në varësi, por një ambasadoreje të huaj, jo një ambasadoreje të një vendi armik të shpallur “non grata”, por ambasadoren e vendit më strategjik për vendin.
Para se të shpallet “incident diplomatik” në 100- vjetorin e marrëdhënieve me SHBA, disa pyetje lindin natyrshëm. Me çfarë kompetence MEPJ njofton një procedurë zëvendësimi ambasadorësh të një vendi tjeter? Ku e ka njohur këtë praktike? A ka marrë lejen e vendit mik për ta bërë këtë?
Pse është kaq e preokupuar për interesimin e gazetarëve në këtë çështje, kur ende nuk ka dhënë 2 gisht letër – njoftim për Amant Josifin, për investitorin strategjik, me emërimin e motrës së Dumanit? Pse është kaq e hapur për një procedurë që nuk i takon kur nuk ka dhënë asnjë informacion minimal për një ambasador shqiptar në botë?
Me siguri që këto pyetje nuk do marrin përgjigje nga Ministria, sepse ai institucion nuk ka asnjë lidhje me transparencën, por nga heshtja do konfirmohet ajo që tashmë dihet, se Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, ashtu si çdo institucion i shtetit, po përdoret si paçavure nga Udhëheqësi Suprem për të nxjerrë inatet me përfaqësuesen diplomatike më të rëndësishme në Tiranë, edhe me koston e një incidenti diplomatik.