Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër ndjek çdo shqetësim të qytetarëve dhe institucioneve lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm.
Dëshirojmë që t’ju informojmë se pranverën e vitit 2024 pritet që të nisë puna për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në tri zona të rëndësishme të qytetit të Shkodrës: lagja pas godinës së policisë vendore të Shkodrës, zona e ish-fermentimit si dhe në lagjen “Mark Lula” pas shinave të trenit.
Ky investim do të realizohet me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim KFW. Aktualisht projekti ka përfunduar fazën e studimit të fizibilitetit dhe ndodhet tashmë në fazën e tenderimit.
Menjëherë pas këtyre procedurave ligjore, në pranverën e vitit 2024 pritet që të nisë puna për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm.
Ky projekt do të mundësojë furnizim me ujë të pijshëm për 24 orë për zonat e sipërpërmendura ndërsa do të jetë sipas standardeve të Bashkimit Europian duke qenë se realizohet me mbështetjen e KFW-së gjermane.
Po ashtu sigurojmë qytetarët dhe çdo institucion se qeveria shqiptare, bashkia Shkodër dhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër janë të angazhuara maksimalisht për të siguruar furnizim me ujë të pijshëm edhe tek banesa më e largët e këtij qarku por nevojiten investime dhe projekte që kërkojnë mbështetje të konsiderueshme financiare si në rastin e KFW-së gjermane.
Falenderojmë qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në kursimin e ujit të pijshëm duke mos e shpërdoruar në këto ditë të nxehta si e vetmja mënyrë për të shmangur defektet në rrjet.
Nga ana tjetër inkurajojmë çdo qytetar që vijon ende abuzimin me ujin e pijshëm që të paraqitet pranë zyrave tona tek Kujdesi Ndaj Klientit për të mundësuar vendosjen e matësve të ujit si dhe linjave të rregullta të furnizimit për ujin e pijshëm si e vetmja mënyrë për të qenë qytetarë të denjë.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër do vijojë që të jetë 24 orë pranë qytetarëve dhe kujtdo tjetër për të përmbushur detyrimin ligjor që është një shërbim sa më cilësor përmes mirëmbajtjes së rrjetit ekzistues të furnizimit me ujë të pijshëm dhe riparimit të çdo defekti të mundshëm në kohë rekord si dhe kryerjen e shërbimeve të tjera që ofron UKQ. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të UKQSH/