Me 23 dhjetor 2021, nga selia blu, Komisioni i Rithemelimit të PD- së i dha afat Lulzim Bashës të lironte zyrën e kryetarit deri me 5 janar 2022. Sot skadon afati që Komisioni i Rithemelimit të PD i ka vendosur Lulzim Bashës për të lënë zyrën e kreut të kësaj partie, pas shkarkimit në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe ratifikimit të vendimit nga mbi 43 mijë anëtarë në referendumin e 18 dhjetorit 2021.
Shanset që Basha të lirojë zyrën ashtu sikundër iu kërkua përmes një shkrese zyrtare në ditët e fundit të vitit që sapo është mbyllur janë pothuajse zero, ndërkohë që lëvizja e rradhës e parashikuar nga Komisioni i Rithemelimit është mbledhja e anëtarëve më datën 8 janar, ora 12:00 në selinë e PD.
Ish- kryeministri Sali Berisha dhe anëtarë të Komisionit të Rithemelimit janë shprehur se vendimi i Kuvendit do të zbatohet, ndërsa mbledhja e anëtarëve në selinë e tyre, është konsideruar si një veprim nga përmbaruesit, që në rastin konkret do të jenë anëtarët.
Në anën tjetër, Lulzim Basha, i cili nuk njeh asnjë nga vendimet e 11 apo 18 dhjetorit, duket se ka përcorëcuar masat për “mbrojtjen e selisë”. Për këtë në ditët e para të janarit janë vendosur kangjella në dritaret e godinës, por edhe dyer të blinduara, çka janë konsideruar veprime që mund të rrisin tensionet mes mbështetësve të tij dhe anëtarëve që me 8 dhjetor do të shkojnë në seli.
Ditën e djeshme Berisha paralajmëroi një protestë kombëtare këtë herë jo vetëm me nisjen para selisë blu, por me vendtakimin e demokratëve për të protestuar kundër masave të marra nga Basha, i cili sipas Berishës ka vendosur dyer të blinduara.
Basha nga ana tjetër nuk i kurseu akuzat ndaj Berishës, duke deklaruar se ai pastron pastron para me trafikantët e drogës të shpallur “non grata” nga Britania e Madhe.
Nuk dihet nëse me 8 janar, anëtarët e PD të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit do të mund të marrin në dorëzim selinë e tyre, ashtu sikundër deklarohet, apo thjesht do të jetë një protestë masive në oborrin e kësaj partie, për të treguar forcën, por edhe kundërshtitë ndaj Lulzim Bashës.