Një ish-efektiv Policie është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Malësisë së Madhe. Sokol Çelaj, 58 vjeç, u vra pranë fshatit Reç, ku kishte banesën e tij.
Ngjarja ndodhi mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, ndërsa 58-vjeçari po kthehej në banesë së bashku me bashkëshorten e tij. Ndaj tij u qëlluan të paktën 6 plumba të armës së zjarrit të llojit kallashnikov.
Sokol Çelaj së bashku me gruan e tij po ktheheshin në banesën e tyre pasi kishin zhvilluar vizita te të afërmit, kur u qëllua me armë zjarri.
Viktima drejtonte një automjet tip fouristradë ML me targa angleze kur ekzekutori i bëri pritë pas pyllit të gështenjave në fshatin Reç. Pasi është plagosur rëndë, viktima ka ecur edhe disa metra me mjetin e tij në tentativë për t’u larguar, por vetëm pak më tutje ka përfunduar në anë të rrugës.
Çelaj mbeti fillimisht i plagosur rëndë nga plumbat, ndërsa bashkëshortja e tij ka lajmëruan menjëherë Urgjencën dhe Policinë e Shkodrës. Ambulanca e ka transportuar 58-vjeçarin për në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, për shkak të plagëve të marra, nuk ka arritur të mbijetojë. Pas atentatit, autori i vrasjes është zhdukur pa gjurmë.
“Më datë 26.08.2021, rreth orës 22:50, në fshatin Reç, Malësi e Madhe, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi S. Ç., i cili ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij. Shtetasi S.Ç., pasi është transportuar në Spitalin e Shkodrës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, sqaroi Policia e Shkodrës.
Autori që nuk është identifikuar ende nga Policia, mendohet se ka qenë në këmbë, i vetëm dhe po ashtu dyshohet se është larguar në këmbë mes kodrave dhe maleve të asaj zone.
Ende nuk ka një pistë konkrete për vrasjen e 58-vjeçarit, i cili jetonte prej vitesh në Britani të Madhe. Sokol Çelaj është larguar nga vendi rreth 25 vite më parë, por vetëm tre vitet e fundit është rikthyer më shpesh, duke rindërtuar banesën e tij në fshatin Reç të Malësisë së Madhe.
E vetmja pistë e momentit është një vrasje që Sokol Çelaj ka kryer kur ka qenë polic në fshatin Bajzë, në vitin 1989. Çelaj vrau kolegun e tij me armën e shërbimit, në pronësi të Policisë së Shtetit. Gjykata e konsideroi në atë kohë vrasje nga pakujdesia dhe Sokol Çelaj u dënua me 6 vite burg. Sapo ka lënë qelinë e burgut, është larguar menjëherë në drejtim të Anglisë, duke qëndruar për shumë vite atje.
Megjithatë, burime pranë familjarëve bëjnë me dije se familja Çelaj është pajtuar me palën tjetër, të cilët jetojnë në Itali prej shumë vitesh duke u kthyer rrallë në Shkodër. Sokol Çelaj, tre vitet e fundit ka ardhur më shpesh në Shqipëri ndërsa hera e fundit kur ka hyrë është data 18 gusht e këtij viti, ndërsa kishte në përfundim ndërtimin e shtëpisë së tij në fshatin Reç të Malësisë së Madhe.
Viktima dhe bashkëshortja e tij ndodheshin për një vizitë mbrëmë te të afërmit e tij dhe duke u kthyer rreth orës 22:50 u qëllua me armë, duke humbur jetën.
Efektivët kanë sekuestruar disa prej gëzhojave të plumbave që gjetën në vendngjarje, ndërsa po punojnë për identifikimin dhe më pas gjetjen e autorit të krimit të rëndë në Malësinë e Madhe.
Policia ka marrë në pyetje të afërm të viktimës dhe banorë të zonës, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse rreth vrasjes.
Bashkëshortja: Autori qëlloi me befasi, nuk arrita të njoh
Pavarësisht se ishte dëshmitare e ngjarjes së rëndë ku iu vra bashkëshortja 58-vjeçar, Bardha Çelaj ka deklaruar se krimi është kryer vetëm nga një person, duke mos dhënë asnjë lloj ndihme për identifikimin e autorit të vrasjes.
Për më tepër, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës, çka do të thotë se vrasësi ka përfituar nga errësira për të kryer krimin dhe për t’u larguar pa gjurmë.
“Ndodhi në pak sekonda, Sokoli frenoi, dëgjova që më kërkoi të ulesha poshtë. Pashë njerëz me armë para furistradës, dëgjova të shtënat. Kur pushuan, Sokoli i mbuluar me gjak, koka e varur mbi timon”, mësohet të ketë deklaruar Bardha Çelaj mes lotësh përpara Forcave të Rendit.
“Nuk kam kuptuar asgjë se çfarë ndodhi fillimisht, vetëm kur kam parë bashkëshortin me gjak në trup të plagosur. Ishte shumë errësirë dhe nuk e kam identifikuar autorin, por di që ka qenë një person”, mësohet të ketë deklaruar ajo. Çifti Çelaj kanë një djalë të vetëm, i cili jeton në Angli. /Nga Senad NIKSHIQI/