Vllaznia luan nesër në 13:45 me Egnatian në transfertë. Sfida e javës së 26 gjen Elvis Plorin në stolin e shkodranëve, në debutimin me ekipin kuqeblu. Largimi i Brdaric dhe problemet që ka hasur trajneri i ri, këto kanë qenë disa nga temat e cekura nga ai në konferencën për shtyp.
“Janë të gjitha ndeshjet të rëndësishme. Për vetë objektivat që kemi, është një sfdë që vlejnë tri pikë. Sa është i bukur, kampionati është edhe i vështirë pasi skuadrat janë ndarë në dy pjesë, ne duam Evropën.
Nëse nuk do ishte punë e vështirë, nuk do e merrja përsipër këtë gjë, ndaj jam këtu. Kam qenë njeriu më i afërt në klub që mund të merrja këtë rol. Të gjithë ishin dakord për këtë pjesë. Veç anës tekniko-taktike duhet të ndryshojmë në disa pjesë, kemi pësuar shumë gola që kanë ndikuar edhe në anën psikologjike, lojtarët janë të vrarë në këtë anë.
Objektivi këtë sezon ishte më madhor, këtu te ana psikologjike duhet të jemi më entuziastë.
Brdaric? Një mungesë që është si mungesë në familje. Me atë kam kaluar shumë mirë, kemi respekt për njëri-tjetrin. Kur rri me një njeri, të mungon. E falenderoj për çdo gjë dhe i uroj suksese kudo të jetë.
Ndryshime? Nuk mund të bejmë shumë gjëra ndryshe, që bien ndesh me atë që kemi bërë. Duket të jemi racionalë, më cinik për rezultatin. Të bëjmë më mirë në tranzicionin negativ, aty kemi probleme. Kur kemi humbur topa në mesin e fushës, aty kemi gabuar. Edhe me dëshirë dhe entuziasëm, lojtarëve që janë në grup duhet t’u jap besim.
Mungesat? Kemi pesë lojtarë jashtë, 90 përqind kanë luajtur në formacion. Nuk duhet të mendoj vetëm për ta, pesë zëvendësuesit presin momentin. Në sytë e tyre shoh dëshirë dhe entuziasëm. Pres të na shpërblejnë.
Tifozët kundër largimit të trajnerit? Duhet njohur shkalla e hierarkisë, nuk më takon të flas për këtë gjë. Kjo edhe për sportistët dhe ambientin nga ana psikologjike. Duhet të harrojmë të kaluarën dhe ndeshjen me Tiranën.
Të rinjtë te Vllaznia? E them publikisht se do jem mbështetje e madhe për ta. Duhet të gjejmë momentin dhe kohën e duhur për t’i hedhur në fushë, që të marrim më të mirën prej tyre.
Tifozët? Kërkoj që Vllaznia të jetë lart, pres mbështetjen e tyre. Të medieve dhe gjithë personave tifozë tanët. Të shtrëngojmë dhëmbët për t’u futur në Kupat e Evropës.
Auron Miloti? Ishte një zgedhje shumë e mirë e klubit. Është person pozitiv, specialist i mirë dhe kam mbajtur lidhje kur ka qenë në Austri.
Unë besoj te ky grup lojtarësh, çdo ekip ka ndryshime dhe të këqija në një cikël vjetor. Të ngrihemi për të bërë më mirë”, tha Plori.